Mümin Altaş
23 Maj 2017•Përditësim: 23 Maj 2017
TBILISI (AA) – Gjatë vizitës zyrtare në Gjeorgji kryeministri i Turqisë Binali Yıldırım në mënyrën më të ashpër ka dënuar sulmin e mbrëmshëm terrorist që ndodhi në koncertin muzikor në qytetin Manchester të Britanisë së Madhe, raporton Anadolu Agency (AA).
Yıldırım me nderimet më të larta shtetërore në Tbilisi u prit nga homologu i tij gjeorgjian Giorgi Kvirikashvili, ndërsa dy kryeministrat pas takimit bilateral dhe takimit të delegacioneve të zgjeruara të të dyja vendeve mbajtën edhe konferencë të përbashkët për gazetarë.
Shefi i Qeverisë turke me këtë rast dënoi sulmin e mbrëmshëm terrorist në Manchester dhe dërgoi mesazh ngushëllimi Qeverisë dhe popullit të Britanisë së Madhe.
“Shpreh ngushëllim të thellë për mikun dhe aleatin tonë Mbretërinë e Bashkuar si dhe për familjet e të vdekurve, ndërsa të plagosurve u dëshiroj rikuperim të shpejtë. Ashpër dënojmë këtë sulm. Ne jemi një vend që shumë mirë e dimë çka do të thotë terrorizëm. Vend i cili paguan çmimin më të lartë të terrorizmit, andaj që nga fillimi themi se terrorizmi është kërcënim global dhe se lufta kundër terrorizmit duhet të jetë globale”, porositi me këtë rast Yıldırım.
Në fillim të fjalimit para gazetarëve në Tbilisi, Yıldırım tha se edhe sulmi i mbrëmshëm në Manchester është tregues i domosdoshmërisë së intensifikimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit.
Para përfundimit të koncertit të pop yllit Ariana Grande në Manchester Arena mbrëmë ndodhi një shpërthim i fuqishëm në të cilin humbën jetën të paktën 22 persona, ndërsa 59 të tjerë u plagosën. Policia britanike është duke zbatuar hetim mbi këtë rast, ndërsa sot në mëngjes njoftoi se bëhet fjalë për sulm terrorist të cilin e ka kryer një vetëvrasës me bombë.