Tarek Chouiref
25 Shtator 2025•Përditësim: 25 Shtator 2025
Komisioni i Trashëgimisë Saudite njoftoi sot zbulimin e vendbanimit më të vjetër të njohur njerëzor neolitik në Gadishullin Arabik, i vendosur në Musaywin në rajonin e Tabukut, transmeton Anadolu.
Zbulimi u bë si pjesë e një projekti të përbashkët arkeologjik midis komisionit dhe Universitetit Kanazawa të Japonisë, në bashkëpunim me kompaninë NEOM. Studiuesit thanë se vendbanimi daton që nga periudha e hershme neolitike, rreth 10.300 deri në 11.000 vjet më parë.
Gjetjet kryesore përfshijnë struktura të ndërtuara me gurë, maja shigjetash, mullinj bluarjeje, zbukurime të punuara nga guaska dhe gurë të çmuar, si dhe mbetje njerëzore dhe shtazore që ndihmuan në përcaktimin e moshës së lokacionit.
Sipas ekipit të hulumtimit, datimi me radiokarbon e vendos lokalitetin midis viteve 8.600 dhe 8.200 para Krishtit. Disa skelete njerëzore u zbuluan në pozicione të ndryshme varrimi, me disa të ulur dhe të tjerë të shtrirë anash, duke hedhur dritë mbi praktikat e hershme të varrimit në Arabinë Saudite.
Arkeologët gjetën gjithashtu vegla guri, guaska deti dhe kocka kafshësh përkrah mbetjeve njerëzore, duke sugjeruar se komuniteti praktikonte aktivitete të organizuara ditore dhe përfaqësonte një nga shoqëritë më të hershme të vendosura në rajon.
Komisioni i Trashëgimisë e përshkroi zbulimin si një moment historik që pasqyron trashëgiminë e pasur dhe të larmishme kulturore të mbretërisë dhe ofron njohuri të reja mbi jetën në Gadishullin Arabik gjatë epokës neolitike.