Aness Suheil Barghoti
10 Prill 2019•Përditësim: 10 Prill 2019
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu të martën tha se blloku i krahut të djathtë të udhëhequr nga partia e tij Likud ka shënuar fitore të qartë në zgjedhjet e përgjithshme në Izrael, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Dua të falënderoj qytetarët e Izraelit për besimin e dhënë", ka thënë Netanyahu përmes një deklarate.
"Do të filloj me formimin e qeverisë së krahut të djathtë me aleatët tanë natyrorë që sonte", shtoi më tej ai.
Megjithatë, një nga udhëheqësit e Aleancës politike "Kaltër e Bardh", ish-shefi i ushtrisë izraelite Benny Gantz, gjithashtu tha se ka fituar zgjedhjet.
"Opinioni izraelit tha fjalën e tij! Faleminderit mijëra aktivistë dhe mbi një milion votuesve", tha Gantz.
Pas mbylljeve të vendvotimeve, blloku i udhëhequr nga Likud humbi kundër Aleancës "Kaltër dhe Bardh" të udhëhequr nga Gantz dhe politikani i qendrës Yair Lapid 37-33, njofton televizioni izraelit Channel 12.
Ndërkohë, Channel 11 tha se Aleanca mori 37 vende ndërkohë që blloku Likud mban 36 vende.
Megjithatë, Kanali 13 raportoi se të dyja palët kanë fituar nga 36 vende në Parlament.
Votimi u zhvillua në 10.720 qendra votimi në të gjithë vendin ndërsa 96 ambasadat dhe konsullatat izraelite jashtë vendit janë të hapura për votim, bëri të ditur Komisioni Zgjedhor i vendit.
Mbi 40 parti politike garuan për të fituar vende në Parlamentin izraelit (Knesset) i cili ka 120 ulëse, ndonëse vetëm 12 parti pritet të kalojnë pragun zgjedhor.
Sipas Komisionit Zgjedhor të vendit, në Izrael ka 6.3 milionë votues me të drejtë vote.