Muhammet İkbal Arslan
30 Maj 2023•Përditësim: 30 Maj 2023
Zvicra ka dënuar sulmet kundër Misionit Paqeruajtës (KFOR) në Kosovë, transmeton Anadolu.
Në një postim nga llogaria në Twitter e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës thuhet: "Dënojme ashpër sulmet ndaj njësive të KFOR-it të cilët ndodhen në Zveçan për të ruajtur paqen, mjedisin e sigurt dhe të qëndrueshëm".
Në postimin ku për veriun e Kosovës bëhet thirrje për "rikthim në qetësi" theksohet ndër të tjera se duhet distancim nga provokimet.
- Mbajtja e protestave
Në veri të Kosovës ku ditët e fundit janë rritur tensionet, serbët zhvillojnë protesta duke u mbledhur para ndërtesave të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq duke tentuar të hyjnë në ndërtesat e komunave dhe duke penguar fillimin e detyrës për kryetarët e rinj shqiptarë të komunave.
Serbët kërkojnë tërheqjen e Policisë së Kosovës nga ndërtesat e komunave dhe mosfillimin e detyrës së kryetarëve të sapo-zgjedhur shqiptarë të komunave, ndërkohë që tentojnë të hyjnë në ndërtesat e komunave duke kapërcyer kordonin policor.
Policia e Kosovës dhe Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë kanë rrethuar me tela ndërtesat e komunave dhe shtuan numrin e personelit në rajon.
- Tensionet në veri të Kosovë
Mes forcave të sigurisë dhe serbëve në veri të Kosovës, edhe më 26 maj u shënuan përleshje pasi policia "asistoi" kryetarët e komunave veriore Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok në të cilat jetojnë kryesisht serbët.
Ndërkohë u bë e ditur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i dha urdhër ushtrisë për "gatishmëri" dhe se pjesëtarët e ushtrisë serbe janë nisur drejt kufirit të Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill në rajon u fituan nga kandidatët e partive politike shqiptare, ndërsa u bojkotuan nga serbët e Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se nga 45.095 votues të regjistruar në komunat veriore, votuan vetëm 1.567 qytetarë (3.47 për qind) e tyre.