Sibel Vezaj
13 Shtator 2018•Përditësim: 13 Shtator 2018
PRISHTINË (AA)- Parlamenti Evropian (PE) sot votoi pro liberalizimit të vizave për Kosovën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Këtë e bëri të ditur ministrja e Integrimit Evropian e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, e cila njoftoi se pas kërkesës së Komisionit LIBE për Grupet parlamentare të Parlamentit Evropian, sot hyri në rend dite dhe u votua për liberalizimin e vizave.
Në një njoftim nga MIE thuhet se ministrja Hoxha është shprehur se “Ky është një lajm i mirë për qytetarët tanë, për lëvizjen e lirë, për të ardhmen e rinisë tonë. Institucionet tona, të nivelit qendror dhe lokal, me përkushtim kanë realizuar të gjitha kushtet për liberalizim. Pas kësaj pune të jashtëzakonshme në të gjitha fushat dhe nivelet, ky votim i sotëm, është mirënjohje dhe dëshmi se qytetarët tanë e meritojnë lëvizjen e lire”.
Hoxha ka falënderuar raportuesit për Kosovën dhe Grupet parlamentare në Parlamentin Evropian, si dhe euro deputetët të cilët sipas saj patën mirëkuptim për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, angazhimin permanent që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më parë.
Tani për rekomandimin për liberalizimin e vizave pritet të votojë edhe Këshilli i Ministrave të BE-së.
- Qeveria e Kosovës përshëndet votimin e rekomandimit për heqje të vizave
Qeveria e Kosovës ka përshëndetur votimin e rekomandimit për heqje të vizave në Parlamentin Evropian.
Në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se votimi i rekomandimit për heqjen e vizave është dëshmi edhe e punës dhe angazhimit të Qeverisë së Kosovës dhe të institucioneve tjera të vendit për të përmbushur të gjitha kriteret dhe obligimet që kanë dalë nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave.
“Qeveria e Kosovës pret që edhe Këshilli i Ministrave të BE-së, në kohën sa më të shkurtër të konfirmojë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ashtu siç ka qenë e përkushtuar deri sot, Qeveria e Kosovës do të jetë në dispozicion të ofrimit të argumenteve dhe garancive në procesin e miratimit të vendimit përfundimtar për liberalizimin. Kosova është e bindur në rrugën e saj për të qenë pjesë e integrimit në strukturat euroatlantike dhe shprehim me vendosmëri përcaktimin tonë të palëkundur për të ardhmen tonë evropiane”, thuhet në njoftim.
Parlamenti Evropian (PE) sot votoi pro liberalizimit të vizave për Kosovën. Ndërkaq tani për rekomandimin për liberalizimin e vizave pritet të votojë edhe Këshilli i Ministrave të BE-së.
Kujtojmë se në muajin korrik Kosova mori rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave, ku komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave. Ndërsa më 30 gusht Kosova mori rekomandimin për liberalizimin e vizave në Komitetin për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) që funksionon në kuadër të Parlamentit Evropian.