Fatjon Cuka
29 Mars 2016•Përditësim: 30 Mars 2016
TIRANË (AA) - Guvernatori i Bankës se Shqipërisë, Gent Sejko, ka prezantuar sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë raportin vjetor të Bankës Qendrore për vitin 2015, ku ai ka theksuar se Ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë përmirësime gjatë vitit 2015, raporton Anadolu Agency (AA).
Sejko gjatë këtij raportimi është ndalur në disa çështje që kanë të bëjnë me ritmet e rritjes ekonomike, rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, aktivitetin e bankave, etj.
"Ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë përmirësime gjatë vitit 2015. Ritmet e rritjes janë përshpejtuar në krahasim me vitin paraardhës. Sipas të dhënave të INSTAT(Instituti i Statistikave të Shqipërisë) Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur me 2.7 përqind gjatë tre mujoreve të vitit 2015. Burimet e rritjes janë më të gjera se vitet e kaluara, ku me përjashtime të vogla të gjithë sektorët kanë kontribuar pozitivisht në zgjerimin e aktivitetit ekonomik"- u shpreh Sejko.
Sipas tij, rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga zgjerimi i investimeve private dhe nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me vendet partnere.
Numri i bankave që kanë operuar në Shqipëri gjatë 2015 ka mbetur në 16 dhe pjesa më e madhe e sektorit bankar, shprehet guvernatori i Bankës së Shqipërisë kontrollohet nga filialet e grupeve të huaja bankare me origjinë të kapitalit nga Bashkimi Europian.
Sejko ka theksuar se politika fiskale ka vazhduar të jetë e konsoliduar dhe sipas tij ky konsolidim sjell përftime afatgjata për ekonominë shqiptare.