Bekim Laci
29 Mars 2016•Përditësim: 30 Mars 2016
SHKUP (AA) - Kushtet johigjienike të prodhimit, mospasja e deklaratave ose deklarata të pakompletuara, produkte me afat të skaduar dhe moszbatimi i standardeve në tregti janë vërejtjet më të mëdha të cilat i bëjnë konsumatorët në adresë të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, ishte konstatimi në trajnimin e anëtareve të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) lidhur me standardet dhe mënyrën e drejtë të ruajtjes dhe manipulimit me ushqimin - kyç për sigurinë e ushqimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Fatmir Bytyçi nga OEMVP-ja tha se ndodhen në një fazë të punës në të cilën vlerësohet aftësia e kompanive për të qenë konkurruese në tregun lokal dhe global për sa i përket ushqimit cilësor të cilin e ofrojnë.
Sipas Bytyçit, kompanitë vendore aplikojnë standardet e nevojshme të sigurisë së ushqimit por vetëm minimumin e tyre, që paraqet një shtytje për Odën që të punojnë në drejtim të implementimit sa më të madh për të qenë në hap me trendet botërore, siç është zbatimi i standardit Hallall i cili nuk është obligim ligjor por paraqet mundësi për depërtim në tregjet e treta.
“Nuk mund të themi se kompanitë kanë bërë maksimumin sepse po të ishte kështu kompanitë do të shuheshin, por ne si Odë ju flasim për tendencën e rritjes së punës së tyre dhe implementimin sa më të madh të standardeve në punën e tyre”, tha Bytyçi.
Goce Gjurovski nga kompania “ZONEL Softuer” afaristëve anëtarë të OEMVP-së ua prezentoi programin softuerik “Ambion” si një zgjidhje hardverike dhe softuerike për ruajtjen dhe manipulimin me ushqim, program ky që po gjenë përdorim të përhapur në vendet e rajonit.
“Prezantojmë një zgjidhje vendore nga Maqedonia e cila përdoret për kontroll të temperaturës dhe lagështisë. Ky proces është shumë i rëndësishëm sepse pikërisht në këto komponenta paraqiten problemet me prishjen e ushqimit dhe me ushqimin jocilësor që i dërgohet konsumatorit”, tha ai për të shtuar se ky program zgjidh problemet ligjore ne veçanti në pjesën e standardit HASAP, dhe më e rëndësishja sipas tij është se në raste kur dëmtohen vlerat e produktit aktivizohet alarmi.
Pjesë e prezantimit të sotëm ishte edhe standardi GLK për sigurinë e ushqimit i cili te kompanitë e vogla dhe të mesme për prodhim të ushqimit implementohet nga viti 2013 dhe u mundëson kompanive dalje në tregun evropian.