Fatjon Cuka
03 Shkurt 2016•Përditësim: 04 Shkurt 2016
TIRANË (AA) - Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka mbajtur sot një konferencë për mediat ku ka folur mbi vendimarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Gjate fjalës se tij, Sejko është ndalur dhe në zhvillimet kryesore të punës së Bankës se Shqipërisë për vitin 2015 si dhe sfidat e këtij institucioni për vitin 2016, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas tij të dhënat e reja të tremujorit të tretë e të katërt të vitit 2015, tregojnë se aktiviteti ekonomik në vend po ndjek një trajektore pozitive zhvillimi. “Analizat dhe parashikimet tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të shënojë ritme progresive rritjeje gjatë tre viteve të ardhshme. Aktiviteti ekonomik pritet të kthehet në ekuilibër gjatë tremujorit të parë të vitit 2017 dhe inflacioni pritet të kthehet në objektiv gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018”- u shpreh Sejko.
“Ecuria e ekonomisë gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015 ka qenë në kahun e sipërm të pritjeve tona, duke sjellë një rishikim të lehtë për lart të rritjes ekonomike të pritur për vitin. Duke u bazuar në tendencat aktuale, Banka e Shqipërisë pret një përshpejtim të lehtë të rritjes ekonomike gjatë vitit 2016, ndërkohë që inflacioni parashikohet të luhatet rreth nivelit mesatar 2% për këtë periudhë”- ka deklaruar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Banka e Shqipërisë vlerëson se investimet private po vazhdojnë të rriten, të nxitura nga investimet e huaja direkte, nga përmirësimi i gjendjes financiare të bizneseve si pasojë e pagimit të detyrimeve të prapambetura, por edhe nga lehtësimi i kushteve të financimit në sektorin bankar.
Në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.75 përqind, mori në shqyrtim dhe vendosi miratimin e rregullores së re “Mbi organizimin dhe funksionimin e Komitetit Këshillimor të Stabilitetit Financiar”.