Övünç Kutlu
03 tetor 2015•Përditësim: 03 tetor 2015
Ankara (AA) - Arabia Saudite vazhdon investimet në industrinë e saj të naftës pavarësisht rënies së çmimit, deklaroi ministri i Naftës, Ali Al-Naimi, transmeton Anadolu Agency (AA)
Sipas agjencisë saudite të lajmeve (SPA) këto deklarata ai i bëri gjatë të premtes në konferencën ministrore energjetike G20 në Stamboll. Ai tha se: "Pavarësisht rënies aktuale të çmimit, Arabia Saudite vazhdon investimet në të gjitha fazat e industrisë së naftës dhe gazit, përveç investimeve në burimet e tjera të energjisë, si energjia solare”.
Për shkak të tepricës së furnizimit të naftës dhe të kërkesës së ulët botërore, çmimet e naftës kanë rënë 60 përqind që nga mesi i vitit 2014.
Arabia Saudite, eksportuesi më i madh i naftës së papërpunuar në botë, është ndikuar negativisht nga rënia e çmimit të naftës. Meqenëse shumica e të ardhurave të saj varen nga të ardhurat nga shitja e naftës, Mbretëria e ka rritur prodhimin e saj të naftës nga 9.7 në 10.3 milionë fuçi në ditë për të mbajtur pjesën e vet në tregun global të naftës. Përveç kësaj, Riadi zyrtar është duke u përpjekur për të ulur konsumin e saj të lartë të brendshëm të naftës duke arritur efikasitetin e energjisë dhe duke u fokusuar në burimet e rinovueshme.