Agon Fehmiu
03 Tetor 2015•Përditësim: 04 Tetor 2015
PRISHTINË (AA) – Në prag të votimit për pranimin e Odës Ekonomike të Kosovës në EuroChambers, Shoqatën e Odave Ekonomike të Evropës, sot për vizitë në Prishtinë ka ardhur nënkryetari i kësaj organizate dhe njëherësh kryetari i Odave Ekonomike dhe Bursës së Turqisë, Rifat Hisarciklioglu, raporton Anadoolu Agency.
Gjatë vizitës disaorëshe, Hisarciklioglu ka mbajtur takime dhe ka biseduar me përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.
Pas mbledhjes në selinë OEK-ut, në Prishtinë, në konferencë për media, nënkryetari i EuroChambers , Rifat u shpreh se në Kosovë ka ardhur për të kryer një punë të mirë dhe siç shpreson ai të suksesshme, për të përmbyllur një proces të gjatë dhe maratonik të cilin e kishte filluar Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) nën udhëheqjen e kryetarit Safet Gërxhaliu, në vitin 2008, kur për herë të parë kishte aplikuar për anëtarësim në Shoqatën e Odave Ekonomike Evropiane.
Hisarciklioglu theksoi se ky veprim tregon vizionin e qartë të OEK-ut, kryetarit Gërxhaliu dhe ndërmarrësve dhe biznesmenëve të Kosovës dhe sipas tij, ky proces tash ka ardhur në fazën përfundimtare.
“Sot kam ardhur këtu me qëllim që të përgatis raportin për Këshillin e Përgjithshëm të EuroChembers. Pas përgatitjes së këtij raporti, me 16 tetor, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të EuroChembers këtë raport do ta hedhim në votim dhe shpresojmë se, pas votimit ky raport do të kaloj dhe dashtë Zoti, Kosova do të bëhet anëtare e institucionit të EuroChembers. Shoqata e Odave Ekonomike Evropiane, EuroChembers është organizata më e madhe e ndërmarrësisë dhe biznesit në Evropë. 43 vende evropiane janë anëtare të EuroChembers dhe 1.700 oda kombëtare dhe lokale punojnë nën kulmin e kësaj organizate, si dhe përfaqëson 20 milion vende të punës” tha Rifat Hisarciklioglu.
Ai theksoi se, Kosova mund të ketë ndërmarrës dhe biznesmen me renome evropiane vetëm nëse e ka Odën Ekonomike të fortë dhe funksionale, prandaj është e domosdoshme që ajo të anëtarësohet në Eurochambers dhe të ketë infrastrukturë ligjore.
Hisarciklioglu tha se janë duke u monitoruar edhe marrëdhëniet me Serbinë dje se në këtë kontekst, marrëdhëniet dhe iniciativat aktuale çër bashkëpunim të Odave Ekonomike të Kosovës dhe Serbisë po përkrahen fuqimisht nga EuroChambers.
“Ne si biznesmen i përshëndesim biznesmenët e dyja shteteve. Ata janë duke e bërë gjënë e duhur. Me 22 maj të këtij viti, ne si Odë Ekonomike e Turqisë ishim nikoqirë të mbledhjes në të cilën morën pjesë përfaqësuesit e këtyre dy vendeve. Ky është realitet të cilin në vazhdimisht jemi duke e paraqitur, pa paqe nuk ka tregti dhe pa tregti nuk ka pasuri.Nëse dëshironi të pasuroheni, duhet t’i hapni rrugë tregtisë” ka thënë nënkryetari i EuroChembers.
Edhe pse Kosova nuk ka dalje në det, ajo ka pozitë të mirë gjeografike, ka popullatën më të re në Ballkanin Perëndimor e cila njeh gjuhë të huaja dhe ky është një potencial i shkëlqyeshëm ekonomik, ka thënë Rifat Hisarciklioglu, duke shtuar se duhet të eliminohen barrierat të cilat e pengojnë tregtinë, si dhe të shfrytëzohet shumë më tepër diaspora e pasur
“Ne turqit, si vëllezërit tuaj, jemi të gatshë t’iu përkrahim në çdo aspekt. Ne jemi të njëjtë për nga aspekti historik e kulturor dhe jemi të gatshëm të përkrahim ndërtimin e një Kosove të fortë.Kemi themeluar edhe një Komitet Biznesi i cili duhet të fuqizojë marrëdhëniet ndërmarrëse dhe tregtare ndërmjet dy shteteve, në mënyrë që biznesmenët të mund të bashkëpunojnë më lehtë” ka porositur nënkryetari i EuroChambers, njëherësh kryetari i Odave Ekonomike dhe Bursës së Turqisë, Rifat Hisarciklioglu.
Me 27 shtator 2014, Bordi Drejtues i EurChambers ka pranuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe aktualisht e ka dërguar nënkryetarin e saj në Kosovë, për të përgatitur raportin final mbi ekonominë kosovare dhe punën e OEK-ut, para votimit të radhës për pranimin e Kosovës.
Me 16 tetor, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të EuroChembers, raporti i përgatitur nga Hisarciklioglu do të hidhet në votim dhe aty do të vendoset nëse Kosova do të bëhet anëtare e organizatës më të madhe të ndërmarrësisë dhe biznesit në Evropë.