Emre Gürkan Abay
11 Gusht 2023•Përditësim: 13 Gusht 2023
Banka Qendrore e Rusisë ka parashikuar se kushtet gjeopolitike nuk do të ndryshojnë dhe se sanksionet kundrejt Rusisë do të vazhdojnë deri në vitin 2026, transmeton Anadolu.
Në raportin e publikuar nga Banka Qendrore e Rusisë me titullin "Politika monetare shtetërore 2024-2026" paraqiten vlerësime lidhur me ekonominë e vendit.
Sipas një skenari bazë në raportin i cili përfshin vitet 2024-2026, ekonomia e vendit do të shënojë një rritje të balancuar prej 1.5 deri në 2.5 për qind në vit.
Në raport thuhet se do të shënohet rënie për shkak të regresit në çmimet e naftës në botë, duke parashikuar që nafta ruse Ural do të ketë një çmim 45 dollarë për fuçi në vitin 2025.
Po ashtu në raportin ku paraqitet parashikimi se kushtet gjeopolitike nuk do të ndryshojnë në masë të rëndësishme, thuhet ndër të tjera që "sanksionet e zbatuara kundër ekonomisë ruse, do të qëndrojnë në fuqi përgjatë afatit të parashikimeve. Produktet e eksportit rus do të vazhdojnë të shiten me zbritje në tregun global".
Në raport paraqiten dy skenarë të mundshëm kundrejt ekonomisë globale, ku në skenarin e parë bëhet parashikimi se mund të përshpejtohet edhe më tej procesi i shpërbërjes në ekonominë globale dhe se mund të rritet presioni i sanksioneve mbi Rusinë.
Ndërsa sipas skenarit të dytë që paraqitet në raport, thuhet se do të përkeqësohen kushtet në sektorin e financës globale dhe se kjo do të shkaktojë një krizë financiare globale e cila mund të krahasohet me krizën ekonomike të përjetuar në vitet 2007-2008.