Emre Gürkan Abay
08 Prill 2022•Përditësim: 11 Prill 2022
Banka Qendrore e Rusisë njoftoi se ka ulur normën bazë nga 20 në 17 për qind, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e bërë nga banka, thuhet se kushtet e jashtme për ekonominë ruse janë të rënda dhe paraqesin pengesë për rritjen.
Duke theksuar se rreziqet për stabilitetin financiar vazhdojnë, në deklaratë thuhet se “Rritja e këtyre rreziqeve është ndalur me efektin e masave për kontrollin e kapitalit”.
Në deklaratë thuhet se inflacioni vjetor do të vazhdojë të rritet për shkak të efektit bazë ndërsa thuhet se ritmi i rritjes së çmimeve është ngadalësuar.
"Banka Qendrore e Rusisë vendosi të ulë normën bazë me 300 pikë bazë në 17 për qind. Vendimi i sotëm reflekton një ribalancim të rreziqeve në ekonomi. Ne supozojmë se ekziston mundësia e vazhdimit të uljes së normës së interesit në mbledhjet e ardhshme", thuhet në deklaratë.
Banka Qendrore e Rusisë rriti normën e interesit nga 9.5 në 20 për qind më 28 shkurt për shkak të sanksioneve të vendeve perëndimore.