PRISHTINË (AA) - Tryeza me titullin “Ekonomia- rruga e paqes dhe e mirëqenies” e cila u mbajt sot në Prishtinë, në organizim të KosovaLive dhe NUNS, shoqatës së gazetarëve të Serbisë, me përkrahje të Komisionit Evropian, ka mbledhur përfaqësuesit e odave ekonomike të Kosovës dhe Serbisë, ata të odave ekonomike amerikane në Kosovë dhe Serbi, si dhe gazetarët e dyja vendeve. Tryeza kishte për qëllim për të trajtuar marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në asketin e të arriturave të deritashme, problemeve që e kanë përcjellë bashkëpunimin ekonomik dhe përfitimet nga marrëdhëniet ekonomike pa barriera dhe pa ngarkesa, raporton Anadolu Agency (AA).
Marrëdhëniet ekonomike Kosovë-Serbi janë karakterizuar me ritëm të ndryshëm dhe me rrjedha jo edhe aq normale sepse ato zhvillohen vetëm në një fushë, atë të qarkullimit tregtar, madje në mënyrë të njëanshme.
Kosova blen mallra nga Serbia në vlerë prej afro 370 milionë euro në vit, kurse eksporton mallra në vlerë prej vetëm 27 milionë euro. Ndërmjet këtyre dy vendeve nuk ka formë të avancuar të bashkëpunimit që do të reflektonte me investime të përbashkëta apo përzierje të kapitalit me qëllim të realizimit të projekteve të përbashkëta, gjë në të cilën insiston edhe Bashkimi Evropian, duke e parë këtë si mundësi për t’u koncentruar në ardhmërinë dhe perspektivën e dyja vendeve dhe duke ia lënë të kaluarën historisë.
Kryetari i Odës Ekonmike të Kosovës , Safet Gërxhaliu, duke e përshëndetur organizim e tryezës së sotme për çështje të ekonomisë, veçoi faktin se ky takim nuk po organizohet nëpër holle apo korridore të ndryshme, në mënyrë të fshehtë por është transparentë, me pjesëmarrjen e dyja palëve, odave ekonomike të Kosovës dhe Serbisë dhe bëhet për të promovuar transparencën dhe partneritetin, në mënyrë që përmes të bashkëpunimit ekonomik të arrihet stabiliteti politik dhe social, zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i përcepcionit të krijuar, si dhe krijimi i një imazhi të ri për regjionin e Ballkanit.
Për të ilustruar këtë, Gërxhaliu përmendi Traktatin Ekonomikë të Romës, nga viti 1957/58, që ka qenë një udhërrëfyes i asaj që Evropa është sot, prandaj kryetari i OEK-ut u shpreh se, ekonomia duhet mekanizmi kyç dhe model i rajonit, në veçanti i dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, drejtë ardhmërisë më të mirë.
“Dëshirojmë që, në rend të parë të kemi institucionalizim të ndërmarrësisë nga i cili institucionalizim do të eliminohen barrierat për të bërë biznes, do të krijohen mundësi të reja për të avancuar këtë formë të bashkëpunimit, do të minimizohet shkalla e informalitetit dhe ekonomisë së kriminalizuar e cila është shndërruar në një sëmundje kancerogjene të bërit biznes, në regjion dhe besoj që në këtë mënyrë do ta promovojmë rajonin si, rajon të paqes dhe jo të luftës, si një rajon të perspektives dhe investimeve, dhe na kjo formë e komunikimit dhe bashkëpunimit ekonomik të jemi vërtet ta që do të krijojnë efekte win-win (fitues-fitues)” -tha Gërxhaliu duke shtuar se, përkundër sfidave të shumta , duhet të avancohen sa më të tepër që është e mundur, dialogu, partneriteti dhe komunikimi.
Ai potencoi se, pavarësisht nga analizat e fundit të këmbimeve tregtare të viteve të fundit, ku shite se kemi një ekonomi të njëanshme, debati si ky i sotmi është një hap i rëndësishëm drejt tejkalimit të formës më klasike e të bërit biznes, si që është tregtia “shitje dhe blerje” dhe hap perspektivë për krijimin e sinergjive të reja të cilat do të jenë më aktive, jo vetëm në partneritetin bilateral por edhe në daljen e përbahsklët të bizneseve të dy vendeve në tregjet e vendeve të treta.
Për këtë ide, ai falënderoj kryetarin e Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, për të cilin tha se i ka caktuar dy prioritet
“Ka caktuar dy prioritete, e para që të bëjë çmos që prodhimet kosovare të depërtojnë në tregun e Serbisë dhe e dyta, të përdor autoritetin e vet që ato kompani nga Serbia të cilat në 15 vitet e fundit kanë bërë qarkullime me qindra miliona euro, a nuk po e vlen që të investojnë në prodhim dhe përmes këtij prodhimi të krijohet një mundësi e re e krijmit të vendeve të reja të punës ku, ai krijim i vendeve të reja të punës do të ketë rëndësi më tepër se punësim, do të ketë konotacionin e multietnicitetit ku do të ketë vend për punësim të të gjithëve” tha Gërxhaliu.
Në fund, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës insistoi se bizneset e dyja vendeve, sot duhet të jenë të fokusuara në gjetjen e formave më të avancuara të bashkëpunimit ekonomik sepse, për dallim nga ekonomia evropiane e cila e ka komoditetin për të ecur, ekonomitë e Kosovës dhe Serbisë duhet të vrapojnë, për ta zënë hapin me Evropën dhe botën dhe që, përmes zhvillimit dhe avancimit ekonomik, me efekte win-win, për të dyja palët, të orientohen drejtë ardhmërisë.
Marko Çadezh, kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë deklaroi se, është i nderuar që do të udhëheq delegacionin e 21 ndërmarrjeve nga Serbia të cilat do të eksponojnë produktet dhe shërbimet e veta në Panairin Ndërkombëtar të Bujqësisë i cili fillon nesër në Prishtinë. Ai ka paralajmëruar se, një delegacion të ngjashëm të ndërmarrjeve kosovare do ta udhëheq homologu i tij Gerxhaliu, në Panairin e energjetikës në Beograd. Ai ka rikujtuar se bashkëpunimi i dy odave ekonomike ka filluar në qershor të vitit 2013 dhe se, deri tani, janë mbajtur 13 takime në nivelin teknik.
“Janë tri aspekte të cilat e karakterizojnë dialogun tonë. E para, janë aktivitetet e krijimit të lidhjeve, sikurse është rasti me prezantimin në këto panaire, takimet sy më sy, takimet sektoriale dhe vizitat e studimit. Aspektii dytë është lehtësimi i tregtisë dhe investimeve, këmbimi i informatave, tejkalimi i barrierave tregtare, mundësia e krijimit të projekteve për investime të përbashkëta dhe prezantime të përbashkët në tenderët eventual, si dhe dalja e përbashkët në tregjet e treta” ka thënë Çadezh.
Ai ka theksuar se, aspekti i tretë i dialogut ekonomik ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë hynë në domenin e bashkëpunimit dhe projekteve ndërkombëtare, sikurse është thirrja e Odave Ekonomike të Kosovës dhe Serbisë për të themeluar trupa të përbashkëta të shteteve të rajonit.
Megjithatë, përkundër faktit se viteve të fundit është arritur shumë në vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet të dy odave ekonomike, Çadezh thotë se ka ende shumë punë për t’u bërë.
Përfaqësuesi i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Ilir Ibrahimi ka vlerësuar se, duke marr parasysh të kaluarën, iniciativat për dialog sikurse ky i dy odave ekonomike janë shpresëdhënëse. Ibrahimi ka thënë se Oda të cilën e përfaqëson ai, mbështet ekonominë e tregut të lirë, si dhe marrëdhëniet ekonomike ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë. Ai ka theksuar se këmbimi tregtarë nuk është i volitshëm, sidomos jo për palën kosovare dhe se kjo është një sfidë e madhe e cila duhet të tejkalohet në të ardhmen.
Ibrahimi ka përmendur edhe faktin që, politika edhe më tutje luan rol të madh në ekonomi, gjë e cila nuk do të duhej të ndodhte sepse ekonomia duhet të udhëheq jetën e një shoqërie ndërsa politika vetëm ta lehtësoj atë, assesi të bëhet pengesë.
Sipas ekonomistëve dhe bashkësisë ndërkombëtare, Kosova dhe Serbia nuk kanë shans tjetër pos të futen në kornizat e ekonomisë bashkëkohore që nuk njeh kufij por, vetëm tregje, ku i vetmi interes është rritja e zgjerimi që në fund, si rezultat final ka ngritjen e standardit të qytetarëve.
news_share_descriptionsubscription_contact


