Sibel Akbay
01 Dhjetor 2016•Përditësim: 01 Dhjetor 2016
STAMBOLL (AA) – Çmimi i naftës vështirë se do të mbërrijë 100 dollarëshin për një fuçi në 15 vitet e ardhshme mirëpo mund të mbërrijë në 65 -70 dollarë në dy tre vitet e ardhshme nëse OPEC-u mbetet i përkushtuar të reduktojë nivelin e prodhimit, deklaroi ish presidenti i organizatës, Abdullah Bin Hamad Al-Atiyyah, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ky është një çmim i kuptueshëm i cili do të kënaq prodhuesit dhe blerësit”, deklaroi Al-Atiyyah, në një fjalim të tij në Samitin e 7-të të Bosforit që po mbahet në Stamboll.
Duke komentuar vendimin e fundit të OPEC-ut, Al-Atiyyah tha se bota tani është në pritje nëse vallë ky vendim do të respektohet.
"Nëse nuk janë në gjendje për të administruar atë do ta humbasin respektin në sytë e botës”, shtoi më tej ai.
Nafta do të vazhdojë ta ruajë rëndësinë strategjike
Al Attiyah tha se nafta do të vazhdojë të jetë një mall strategjik pasi bota do të ketë nevojë për një përzierje të burimeve energjetike për të përmbushur të gjitha nevojat e saj të energjisë.
“Bota flet shumë për burimet e ripërtëritshme të energjisë por ne kemi nevojë për një përzierje. Nuk do të mund të jetojmë vetëm nga gazi dhe nafta ashtu siç nuk mund të jetojmë vetëm nga dielli dhe era”, tha ai.
Al Attiyah është i mendimit se shtetet e Afrikës, Amerikës Latine, Azisë dhe Lindjes së Mesme do të kenë nevojë për një sasi substanciale të naftës për të përmbushur nevojat e tyre transportuese.
“Mjetet siç janë veturat elektrike mund të popullarizohen në shtetet industriale dhe mund të shndërrohen në një konkurrues të denjë të transportit me naftë”, tha Al Attiyah për të shtuar se kjo nuk vështirë se mund të realizohet në pjesën tjetër të botës pasi siç tha, një e treta e globit akoma nuk ka distribuim të mjaftueshëm të energjisë elektrike.