Murat Temizer
06 Prill 2022•Përditësim: 08 Prill 2022
Dekreti i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që përcakton pagesën e gazit natyror rus përmes rublave ka shkaktuar mëdyshje tek shumë blerës të gazit.
Katja Yafimava, një hulumtuese e lartë në Institutin Oxford për studimet energjetike të programit të gazit natyror, për Anadolu Agency (AA) tha se ajo konsideron se sistemi i ri i pagesave nuk është detyrimisht kontradiktor me kontratat ekzistuese të furnizimit me gaz.
Ajo argumenton se sipas sistemit të ri të pagesave, blerësit evropianë do të vazhdojnë të paguajnë në euro, megjithëse dekreti ka mandatuar disa hapa shtesë që duhet të ndërmerren nga ‘Gazprombank’ që pagesa të konsiderohet e përfunduar, respektivisht konvertimi i euros në rubla dhe transferimi i tyre pasues në llogarinë e kompanisë ‘Gazprom’.
"Disa blerës evropianë mund ta konsiderojnë atë si të pajtueshme me kontratat e tyre dhe të pranojnë të ndjekin këtë procedurë të re në të cilin rast furnizimet do të vazhdojnë si zakonisht", tha Yafimava.
Megjithatë, ajo theksoi se disa blerës mund të argumentojnë se kontratat e tyre duhet të rregullohen për të pasqyruar ndryshimin dhe ata refuzojnë të ndjekin procedurën e re pa mos u rregulluar kontratat e tyre.
"Në këtë rast, nëse rregullimi nuk bëhet deri në datën e ardhshme të pagesës, furnizimet mund të ndërpriten pasi dekreti ndalon ‘Gazprom’-in të furnizojë me gaz nëse pagesa nuk bëhet në përputhje me procedurën e re, përveç nëse jepet një përjashtim", tha Yafimava.
Nga ana tjetër, Richard Kauzlarich, njëkohësisht bashkë-drejtor i Qendrës për Shkencën dhe Politikën e Energjisë në Universitetin George Mason dhe ish-ambasadori amerikan në Azerbajxhan, tha se nëse jo shumica e kontratave të energjisë, shumë prej tyre përcaktojnë valutën dhe shkelja e njëanshme mund ta bëjë kontratën të pavlefshme.
"E kuptoj se është pjesë e hakmarrjes së Putin-it për sanksionet e SHBA-së dhe Perëndimit të aplikuara ndaj Rusisë për pushtimin e saj të pajustifikuar dhe vrasës të Ukrainës", tha Kauzlarich.
Ai foli për një alternativë për ata që ndihen të kompromentuar në kryerjen e pagesave përmes sistemit të ri, duke sugjeruar që pagesat të bëhen në një llogari të tretë të besuar jashtë Rusisë.
"Moska do të kishte qasje në llogari të tilla vetëm pasi të hiqen sanksionet dhe të paguhet çdo pretendim nga Ukraina për humbje njerëzore ose në materiale të shkaktuara nga pushtimi i Putin-it", tha Kauzlarich.
Më 1 prill, kompania ruse e energjisë ‘Gazprom’ njoftoi zyrtarisht klientët e saj për kushtet e reja të pagesës për gazin rus, sipas të cilave kompania kërkon që pagesa për dërgesat e bëra nga kjo datë do të duhet të realizohen në rubla.
Duke folur në një takim me zyrtarë qeveritarë në Moskë më 31 mars, Putin tha se ai nënshkroi një dekret që përcakton rregullat për tregtimin e gazit natyror rus në rubla.