Ekip
01 Prill 2023•Përditësim: 03 Prill 2023
Një pakt gjithëpërfshirës tregtar dhe ekonomik midis Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraelit, i nënshkruar vitin e kaluar, ka hyrë në fuqi nga dita e sotme, 1 prill, njoftoi një zyrtar i Emirateve, transmeton Anadolu.
“Një tjetër moment historik për marrëdhëniet EBA-Izrael, Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Partneritetit Ekonomik tani ka hyrë në fuqi”, tha në Twitter ambasadori i Emirateve në Izrael, Mohamed Al-Khaja.
Ai tha se marrëveshja do të kontribuojë në thellimin e “tregtisë, investimeve dhe mundësive të biznesit, dhe zhbllokimin e një epoke të re bashkëpunimi” midis EBA-së dhe Izraelit.
Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Partneritetit Ekonomik u nënshkrua më 31 maj 2022 në Dubai me synimin për të rritur nivelet e tregtisë midis dy vendeve, për të arritur në 10 miliardë dollarë deri në fund të dekadës.
Tregtia dypalëshe, përveç tregtisë së naftës, midis EBA-së dhe Izraelit ishte 2,49 miliardë dollarë në vitin 2022; një rritje prej 90 për qind nga viti 2021, kur kishte arritur në 1,3 miliard dollarë.
Në vitin 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për të normalizuar marrëdhëniet e tyre. Që atëherë, zyrtarë të lartë nga të dy vendet kanë shkëmbyer vizita dhe kanë nënshkruar disa marrëveshje dypalëshe.