Tuba Şahin
11 Janar 2021•Përditësim: 11 Janar 2021
Kreu i Presidencës së Industrive të Mbrojtjes së Turqisë (SSB), Ismail Demir, tha se institucioni të cilin e udhëheq ai është i vendosur të përfundojë projektet që janë në vazhdim, t'u dorëzojë sisteme të reja forcave të armatosura në të gjithë botën dhe të nisë projekte të reja në vitin 2021, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne do të bëjmë dërgesat e para të mjetit luftarak pa pilot Akinci këtë vit", tha Demir në një konferencë për media.
Gushtin e kaluar, prototipi i dytë i tipit Akinci, droni i parë indigjen i Turqisë, kaloi provën e lartësisë prej mbi 6 mijë metrash.
Droni mund të fluturojë për 24 orë, mund të fluturojë deri në rreth 12.200 metra lartësi, ka gjerësi të krahëve rreth 20 metra dhe kapacitet mbajtës 1.350 kilogram.
Demir theksoi se dërgesa e versionit të ri të helikopterit luftarak ATAK, ATAK Faz-2, do të fillojë në vitin 2021.
ATAK Faz-2 ka sisteme shtesë të luftës elektronike, siç janë: paralajmërues për lazer, bllokues i radio-frekuencave dhe sistem për paralajmërim nga radarët.
ATAK është prodhim indigjeni turk. Ai është një helikopter i gjeneratës së ardhshme, i operuar nga dy persona, me dy motorë, i projektuar posaçërisht për sulm dhe zbulim.
"Këtë vit, do të bëhen dërgesat e para të raketës Atmaca, që është raketa e parë kundër anijeve e zhvilluar indigjenisht, torpiloja Akya dhe arma kundër-tank Karaok" tha Demir.
Ai theksoi se industria turke e mbrojtjes kryesisht përmbushi objektivat e saj të vitit 2020 duke përfunduar dërgesat dhe duke filluar projekte të reja për të përmbushur nevojat e forcave të armatosura.
Ismail deklaroi se kanë arritur suksese në të gjitha frontet, përkundër faktit që janë përballur me pandeminë e koronavirusit dhe me embargot, që siç thekson ai, kanë qenë të padeklaruara.
"Ne do të vazhdojmë rrugën tonë duke zgjeruar më tej objektivat në vitin 2021", porositi Demir.