Agon Fehmiu
29 Tetor 2015•Përditësim: 29 Tetor 2015
PRISHTINË (AA) - Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe homologu i saj austriak, Heinz Fischer, sot në mëngjes morën pjesë në ceremoninë e hapjes së Forumit Ekonomik Kosovaro – Austriak, raporton Anadolu Agency (AA).
E para e shtetit të Kosovës shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin në mes dy vendeve dhe vlerësoi lart rëndësinë e Austrisë, shtetit mik të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian (BE).
"Vjena është porta e rajonit tonë drejt Bashkimit Evropian", tha Jahjaga gjatë këtij Forumi.
Prezencën e bizneseve austriake në Kosovë, presidentja Jahjaga e cilësoi si përvoja të reja dhe tregoi gatishmëri për lehtësime për investitorët nga ky vend mik.
"Dera ime është e hapur për ju, për të lehtësuar përpjekjet e juaja për investimet tuaja në Kosovë", tha Jahjaga gjatë Forumit më të madh ekonomik të organizuar deri tash, ndërmjet këtyre dy vendeve.
Përveç presidentëve Jahjaga dhe Fischer, në ktë forum morën pjesë edhe ministrat e financave dhe tregtisë e industrisë të Kosovës dhe kryetarët e Odave Ekonomike te Kosovës dhe Austrisë.
Presidenti i Austrisë Heinz Fischer, gjatë vizitës së tij dyditor në Kosovë, me ftesë të presidentes Jahjaga, ka ardhur së bashku me delegacionin e tij dhe përfaqësuesit e 25 top bizneseve nga Austria.
Dje dhe sot, përveç takimeve të nivelit politik, në Prishtinë janë realizuar edhe takimet e komunitetit të biznesit nga Austria dhe Kosova, për çka kontribut të çmueshëm kanë dhënë Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Federale Ekonomike e Austrisë dhe Zyra Tregtare pranë Ambasadës së Austrisë në Kosovë.
Dje, në Hotelin ekskluziv Swiss Diamond në Prishtinë, prej orës 14 deri në 17, përfaqësuesit e 25 top bizneseve nga Austria kanë realizuar takime B2B (sy më sy) me përfaqësuesit e firmave kosovare.
E veçanta e këtij Forumi shumë të rëndësishëm ekonomik është se po ndodh dy ditë pas nënshkrimit të MSA-së si marrëveshje e parë kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së.
Ky forum është edhe një dëshmi e përkrahjes së pa rezervë të shtetit të Austrisë në proceset integruese të Kosovës në familjen evropiane, si dhe mbështetjen dhe ndihmën në zhvillimin ekonomik të shtetit më të ri evropian.