Agon Fehmiu
07 Dhjetor 2015•Përditësim: 07 Dhjetor 2015
PRISHTINË (AA) – Komisioni Evropian (KE) dhe Banka Evropiane e Investimeve (BEI) do të financojnë me shumë prej 82 milionë eurove, modernizimin e hekurudhës së Kosovës, ka njoftuar zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Fillimisht, të martën me 8 dhjetor, ministri i Financave i Kosovës, Avdullah Hoti dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i BEI, Romualdo Massa Bernucci, do të nënshkruajnë një marrëveshje kredie prej 42 milionë euro për modernizimin pjesës së Kosovës në rrjetin hekurudhor evropian “Route 10”.
Ky projekt do të integrojë rrjetin hekurudhor të Kosovës në korridorin e quajtur Orient/Lindja-Mesdhetare, ku konkretisht do të lidh Ballkanin Perëndimor me Austrinë, Greqinë dhe Bullgarinë, si pjesë e korridoreve të Rrjetit Kryesor Trans-Evropian të Transportit. Njëkohësisht, BE-ja ka bërë me dije se fillimisht do të mbështesë këtë projekt me një grant prej 40 milionë eurove, për të përgatitur dhe zbatuar projektin.
Në prill të këtij viti, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur marrëveshje për rrjetin kryesor të transportit dhe më pas, në qershor, kanë arritur marrëveshje për zgjerimin e tre korridoreve kryesore të Rrjeteve Trans-Evropiane të Transportit për në Ballkanin Perëndimor, duke identifikuar kështu projektet me prioritet përgjatë seksioneve të këtyre korridoreve, të cilat do të zbatohen deri më 2020.
Rrjeti Kryesor Trans-Evropian i Transportit lidh të gjitha kryeqytetet e BE-së, qendrat ekonomike kryesore dhe portet më të mëdha prandaj, zgjerimi i korridoreve të rrjetit kryesor për në Ballkanin Perëndimor mundëson përshpejtimin e reformave politike dhe rregullative të rajonit. Përpjekjet dhe investimet e shtuara për korridoret kryesore dhe ndërlidhjet sigurojnë integrim më të afërt të Ballkanit Perëndimor me BE.