Övünç Kutlu
03 Qershor 2022•Përditësim: 03 Qershor 2022
Ligjvënësit në shtetin New York të SHBA-së kanë miratuar një projektligj duke ndaluar disa operacione të minimit të kriptovalutave që funksionojnë me burime të energjisë me bazë karboni, transmeton Anadolu Agency (AA).
Projektligji ‘A7389C’ i Asamblesë, i cili më parë në muajin prill kaloi në Asamblenë e Shtetit, u miratua mëngjesin e sotëm në Senatin e Shtetit me një votim 36 kundrejt 27 votave.
“Veprimtaria e vazhdueshme dhe e zgjeruar e operacioneve të minimit të kriptovalutave që përdorin metodat e vërtetimit të punës për t’i vërtetuar transaksionet ‘blockchain’ do të rrisë shumë sasinë e përdorimit të energjisë në shtetin New York dhe do të përplaset me pajtueshmërinë e Aktit për lidershipin e klimës dhe mbrojtjen e komunitetit”, thekson projektligji.
Siç thuhet në projektligjin e miratuar, për të zbutur efektet aktuale dhe të ardhshme në ndryshimet klimatike shteti New York zbatoi ‘Aktin e lidershipit të klimës dhe mbrojtjes së komunitetit’, duke kërkuar që “emetimet e gazeve serrë në mbarë vendin të reduktohen 85 për qind deri në vitin 2050 dhe që shteti të ketë emetime neto zero në të gjitha sektorët e ekonomisë deri në atë kohë”.
Projektligji tani kalon tek guvernatorja Kathy Hochul, e cila mund të vendosë veto ndaj tij. Nëse projektligji nënshkruhet në ligj, kjo do ta bënte New York-un shtetin e parë në SHBA që ndalon operacionet e minimit të kriptovalutave.