Riyaz Khaliq
27 Tetor 2020•Përditësim: 28 Tetor 2020
Korporata amerikane Microsoft ka njoftuar investimin e saj më të madh në Tajvan pas mosmarrëveshjeve në marrëdhëniet tregtare SHBA-Kinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media, drejtori ekzekutiv i "Microsoft Taiwan", Ken Sun, tha se kompania do të ndërtojë një qendër të dhënash, duke krijuar mbi 30 mijë vende pune me një investim prej mbi 10 miliardë dollarësh deri në vitin 2024.
Siç njoftojnë mediat lokale, investimi në katër projekte digjitale përfshin gjithashtu hulumtimin dhe zhvillimin e pajisjeve të inteligjencës artificiale. Kjo është hera e parë në 31 vitet e fundit që Microsoft shpalli një investim kaq të madh në Tajvan.
Në lidhje me këtë, presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, u shpreh se është krenare dhe se mirëpret investimin.
"Bashkëpunimi ynë është edhe një hap përpara për partneritetin Tajvan-SHBA, pasi krijojmë zinxhirët e furnizimit dhe krijojmë mundësi biznesi për një të nesërme më të mirë", u shpreh Tsai Ing-wen në Twitter.
Investimi vjen në kohën e dobësimit të marrëdhënieve SHBA-Kinë, të cilat kanë arritur nivele të ulëta. Washingtoni ka rritur marrëdhëniet me Tajvanin, të cilin Kina e konsideron si "provincë të shkëputur".
Pekini ka paralajmëruar kundër afrimit me Tajvanin, duke argumentuar se kjo shkel "Politikën e Një Kine".
Microsoft gjithashtu paralajmëroi se do të trajnojë më shumë se 200 mijë "talentë digjitalë" për t'u shërbyer sipërmarrjeve të saj.
"Ne kemi rritur investimet tona në Tajvan çdo vit në pesë vitet e fundit", tha Ken Sun, duke shtuar se "tani jemi duke bërë investimin më të madh në historinë 30-vjeçare të Microsoft-it në Tajvan".