Dzihat Aliju
01 Tetor 2016•Përditësim: 02 Tetor 2016
SHKUP (AA) - Sot në Shkup filloi Samiti i 6-të Botëror i Donerit, i cili bashkoi prodhuesit nga vende të ndryshme të botës me investitorët e Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Samitin e organizuar në një hotel në Shkup, morën pjesë ministri i Ekonomisë Driton Kuçi, Ambasadori i Turqisë në Shkup Ömür Şölendil, kryetari i Odës Ekonomike Maqedoni-Turqi (МАТТО) Tuna Eyüp Kahveci, përfaqësues të institucioneve turke në vend dhe biznesmenë.
Minsitri Kuçi në fjalimin e tij shprehu kënaqësinë sepse Maqedonia gjegjësisht Shkupi është zgjedhur nga Shoqata ndërkombëtare e donerit të jetë mikpritës i këtij takimi rajonal dy ditor duke patur parasysh traditat e pasura gastronomike të të dyja vendeve, bashkëpunimit të frytshëm ekonomik me Turqinë dhe marrëdhënieve tradicionale mes dy vendeve.
Ai theksoi se ky samit për investitorët e vendit është një mundësi e mirë për të hapur biznese të reja dhe investime të përbashkëta në Maqedoni dhe rajon.
"Është mirë që bashkëpunimi i frytshëm që kemi në shumë fusha të vazhdon edhe në këtë lëmi dhe shpresojmë që cilësia e donerit të qytetit Bursa të vjen edhe në Maqedoni", tha Kuçi.
Ndërsa ambasadori turk Şölendil potencoi se kuzhina turke është një ndër më të pasura dhe më të shijshme në botë. "Ky sektor jo vetëm në Turqi por edhe në të gjithë botën është bërë një markë gjithashtu edhe ka hapur dyert e investimeve të reja", tha ambasadori turk.
Kryetari i Komitetit të Organizimit, Irfan Söyler, tha se ushqimi është materiali më i madh që promovon një popull, shtetit ose kulturë tjetër.
Ai tha se doneri shitet në 250 mijë pika të ndryshme në botë dhe se çdo ditë shiten rreth 500 milionë porcionë donerë.
Ndërsa, kryetari i MATTO-s, Tuna Eyup Kahveci, shprehu kënaqësinë e tij për mbështetjen të cilën e kanë dhënë për organizimin e këtij eventi, duke shpresuar se pas samitit Maqedonia të bëhet qendra e rajonit në prodhimin e donerit.
Samiti i 6-të Botëror i Donerit mbahet më 1 dhe 2 tetor në Shkup.