Fatih Erkan Doğan
12 Janar 2017•Përditësim: 12 Janar 2017
ANKARA (AA) - Rënia e fundit e lirës turke është e mundur të jetë produkt i "manipulimit", njoftoi të enjten Ministria turke e Tregtisë dhe Doganave, raorton Anadolu Agency (AA).
"Ekzistojnë tregues të fortë se normat e këmbimit të huaj vazhdojnë të manipulohen", ka thënë Bülent Tüfenkci në panelin editorial të AA në Ankara.
"Mund të shihen sidomos qarkullimet e theksuara të disa fondeve që veprojnë brenda dhe jashtë Turqisë. Si qeveria ashtu edhe Banka qendrore janë duke i vëzhguar nga afër këto lëvizje", tha ministri Tüfenkci.
Kursi i këmbimit ka arritur një rekord historik prej më shumë se 3.90 lira për një dollar amerikan të mërkurën pasdite.
Lira është zhvlerësuar më shumë se 11 përqind kundrejt dollarit që nga 1 janari, duke ngritur dyshimet e manipulimit, posaçërisht kur normat lëvizin herët në mëngjes dhe vonë në mbrëmje, kur likuiditeti i tregut është i cekët.
Ekspertët e ekonomisë thonë se luhatjet në kursin dollar-lirë duken tejet manipuluese dhe nuk pasqyrojnë gjendjen reale të ekonomisë së Turqisë.
Cemil Ertem, këshilltar i lartë i presidentit Recep Tayyip Erdoğan, të mërkurën deklaroi se raporti i fundit të dollarit amerikan kundrejt lirës turke kishte ardhur si pasojë e kushteve të cekta të tregut që shihet të jetë një lëvizje tepër spekulative.
Pas rritjes rekorde të vlerës në 3.9412 të mërkurën, niveli i vlerës ra në 3.8050 në ora 11:30 (08:30 sipas kohës të Evropës Qendrore) të enjten.