Fatjon Cuka
12 Janar 2017•Përditësim: 12 Janar 2017
TIRANË (AA) - Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në Shqipëri në tremujorin e tretë të vitit 2016 vlerësohet me rritje prej 3,08 për qind kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2015, raporton Anadolu Agency (AA).
Instituti i Statistikave (INSTAT) ka publikuar sot të dhënat rreth PBB-së, gjatë një konferencë për mediat të drejtoreshës së përgjithshme të këtij institucioni, Delina Ibrahimaj.
Sipas Ibrahimajt, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si tregti-hotele, transporti, ndërtimi, bujqësia, etj.
Aktivitetet në sektorin e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit u rritën me 0,90 për qind, ndërsa aktivitetet e industrisë, sektorit të energjisë dhe ujit u ulën me 3,72 për qind.
Sipas INSTAT eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 19,12 për qind, ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 5,64 për qind.