Sibel Vezaj
28 Shtator 2016•Përditësim: 28 Shtator 2016
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion të kryesuar nga Sekretari Gjeneral i Asociacionit të Odave Evropiane të Ekonomisë dhe Industrisë, “Eurochambres”, Arnaldo Abruzzini, të përbërë edhe nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski si dhe nga kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Presidenca bëhet e ditur se gjatë këtij takimi u bisedua për të arriturat në bashkëpunimin ekonomik rajonal, ku presidenti Thaçi ka theksuar se ekonomia është çelës për paqen dhe bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
“Ka kaluar koha e nacionalizmit. Qytetarët duan paqe, zhvillim, mirëqenie”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka vënë në dukje se institucionet shtetërore të Kosovës mbështesin nismat për bashkëpunim ekonomik rajonal dhe inkurajoi thellimin e këtij bashkëpunimi.
Ndërkaq, Sekretari Gjeneral i “Eurochambres”, Abruzzini, duke përgëzuar presidentin Thaçi për të arriturat e Kosovës dhe rajonit në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit, theksoi se bashkëpunimi rajonal është kyç për zhvillim.
Sekretari Gjeneral Abruzzini dhe kryetarët e Odave nga rajoni, sot morën pjesë në Panairin e produkteve bujqësore dhe agroindustriale “Prishtina 2016”.