Ekip
04 Maj 2022•Përditësim: 04 Maj 2022
Politikanët spanjollë iu gëzuan shifrave rekord të punësimit të publikuara sot, të cilat treguan se për herë të parë më shumë se 20 milionë njerëz punojnë në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo pikë historike e punësimit erdhi vite pas afatit të vendosur. Ish-kryeministri Mariano Rajoy synonte që deri në vitin 2019 të punonin 20 milionë njerëz.
Shifrat e punësimit të prillit ishin gjithashtu historike për shkak të një zhvendosjeje të mprehtë drejt kontratave të përhershme.
Në prill, gati gjysma e të gjitha kontratave të reja të nënshkruara në Spanjë ishin të përhershme, ndërsa, gjatë katër dekadave të fundit, mesatarisht rreth 90 për qind e të gjitha kontratave të punës ishin të përkohshme.
Ndërprerja e menjëhershme në praktikat e punësimit ka të bëjë me reformën e punës të miratuar nga ligjvënësit spanjollë në shkurt për të frenuar punësimin e pasigurt.
Kryeministri Pedro Sanchez gjithashtu përshëndeti shifrat e punësimit, duke thënë se rimëkëmbja ekonomike e Spanjës bazohet në "më shumë punësim të cilësisë më të lartë".
Pavarësisht arritjeve, Spanja ka ende një nga normat më të larta të papunësisë në Bashkimin Evropian.
Rreth 14 për qind e fuqisë punëtore të Spanjës mbetet e papunë, më shumë se dyfishi i mesatares së BE-së prej 6,3 për qind.
Megjithatë, shkalla e papunësisë në Spanjë është ulur ndjeshëm nga niveli i lartë tronditës i arritur në vitin 2013, kur më shumë se 27 për qind e punëtorëve nuk ishin në gjendje të gjenin një punë.