Zuhal Demirci,Meltem Bulur
15 Nëntor 2016•Përditësim: 16 Nëntor 2016
ANKARA (AA) – Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier sot në Ankara deklaroi se ka çarqe të cilat konsiderojnë se më mirë është që të mos vazhdojnë negociatat për integrimin mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Turqisë, por ai tha së është i mendimit se vendimi për këtë duhet të merret në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Ankara, Steinmeier u prit nga homologu i tij turk Mevlüt Çavuşoğlu, ku në konferencën e përbashkët për media, kreu i diplomacisë gjermane u shpreh i kënaqur me ardhjen e sërishme të tij në kryeqytetin e Turqisë dhe vazhdimin e dialogut të drejtpërdrejtë me kolegët turq.
"Në muajt e fundit para kamerave dhe mikrofonëve kemi folur shumë për njëri-tjetrin. Mirëpo, mendoj se për çdo gjë që kemi biseduar duhet të jemi të hapur dhe të sinqertë me njëri-tjetrin", tha Steinmeier.
Steinmeier tha se Gjermania fuqimisht dënon përpjekjen e dështuar për grusht shteti ushtarak më 15 korrik në Turqi të organizatës terroriste Fetullahci (Feto) duke përcjellë një mesazh ngushëllimi për familjet e të vrarëve në përpjekje.
"Ndiejmë simpati të madhe për ata që në ato netë të vështira dolën në rrugë. Dua të shpreh mbështetjen tonë për të gjithë ata që mbrojtën institucionet demokratike të Turqisë. Ne jemi me mbrojtësit e institucioneve demokratike", tha Steinmeier.
Duke theksuar se me homologun e tij turk Çavuşoğlu kishte një diskutim të gjatë dhe të sinqertë, Steinmeier tha se disa nga temat ishin marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Turqisë, situata në rajon dhe projektet e përbashkëta të dy vendeve.
"Kjo nuk është marrëdhënie e njëanshme. Problemet mund t'i kapërcejmë duke kuptuar se kemi nevojë për njëri-tjetrin. Jo vetëm në aspektin ekonomik, ne kemi nevojë për njëri-tjetrin edhe në aspektin politik", tha Steinmeier.
Ai kujtoi lidhjet e forta shekullore kulturore dhe familjare në mes të dy vendeve dhe faktin se në Gjermani jetojnë 3.5 milionë banorë me origjinë nga Turqia. Steinmeier tha se nevojitet dialog i sinqertë dhe i hapur për ti forcuar edhe më tej, duke mos rrezikuar këto lidhje të thella për asnjë moment.
Ministri gjerman tha se askush nuk e di se kur do të përfundojë gjendja e tanishme e vështirë në botë, dhe shtoi se zhvillimet e trazuara në Turqi kanë ndikim të drejtpërdrejtë në situatën e Gjermanisë, i cili është aleat i NATO-s.
"Gjermania dhe Turqia janë dakord për nevojën e zgjidhjes politike të krizës në Siri. Krah për krah ne luftojmë kundër terrorizmit. Ne jemi duke luftuar kundër DEASH-it dhe PKK-së", tha Steinmeier.
Shefi i diplomacisë gjermane Steinmeier i shprehu homologut të tij Çavuşoğlu shqetësimin të cilin e ka Gjermania për gjendjen dhe zhvillimet në Turqi pas tentimit për grusht shteti.
"Ju lutem që kjo të mos merret si një lloj i vizionit me të lartë dhe mbajtjes së leksonit dhe lutem që kjo të mos trajtohet si mospërfillje e sovranitetit të Turqisë", tha Steinmeier.
Duke kujtuar se në takimin e djeshëm të ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të BE-së në Bruksel, është diskutuar për situatën në Turqi, Steinmeier tha se kriteret e përafrimit të anëtarësimit në BE janë mjaft të qarta, kurse vendimi nëse Turqia duhet të afrohet apo të largohet nga BE-ja nuk duhet të merret në asnjë nga kryeqytetet e Unionit, por këtu në Ankara.
Steinmeier tha se gjatë vizitës së tij në Ankara do të takohet edhe me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan duke shtuar se kjo do të jetë mundësia e tij e parë për të biseduar me të, pasi Erdoğan së fundmi ka drejtuar kritika të ashpra kundër Gjermanisë.
"Ne sigurisht që nuk mund ta kuptojmë skur dikush pretendon se Gjermania është një strehë e sigurt për terroristët", tha Steinmeier, duke shtuar se PKK-ja në Gjermani është e ndaluar si organizatë terroriste, për çka ka prova për një sërë hetimesh dhe vendimesh të marra.
Duke theksuar se dënon të gjitha llojet e terrorizmit, Steinmeier tha se terrorizmi nuk mund të mposhtet vetëm me operacione ushtarake, por janë të nevojshme edhe zgjidhjet politike.
"Ne themi se është e nevojshme për të ri-filluar procesin politik për zgjidhjen e krizës dhe prandaj PKK duhet të lë armët dhe të heq dorë nga lufta e armatosur. Në përputhje me kuadrin ligjor në Gjermani ne monitorojmë aktivitetet terroriste të PKK-së dhe deri më tani janë udhëhequr rreth 4.000 hetime dhe procedime gjyqësore. Unë nuk kam asnjë informacion se Turqia i ka dërguar Gjermanisë më shumë se 4000 dosje në lidhje me terroristët. Këtë nuk mund ta konfirmoj", tha Steinmeier.
Më tej shefi i diplomacisë gjermane tha se në mes të Gjermanisë dhe Turqisë ka marrëdhënie të forta dhe aktive dhe se pjesa më e madhe e organizatave joqeveritare kërkojnë nga Gjermania të mos ndërpresë këto marrëdhënie, sidomos jo në këto periudha të vështira.