Fatjon Cuka
23 Shkurt 2016•Përditësim: 23 Shkurt 2016
TIRANË (AA) – Është zhvilluar sot në Tiranë Forumi i Industrisë së Riciklimit me temë: “Industria e Riciklimit Potencial për Rritjen Ekonomike dhe Sfidat e zhvillimit të Qëndrueshëm”, raporton Anadolu Agency (AA).
Bardhyl Baltëza, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Ricikluesve, në fjalën e tij në këtë forum, u shpreh se industria e riciklimit ka sot një ndikim të fuqishëm në ekonominë shqiptare që numëron rreth 60 ndërmarrje që kanë investuar rreth 200 milion euro. Sipas tij kjo industri punëson në mënyrë direkte rreth 3000 punonjës, dhe indirekt ndikon në sigurimin e jetës së 40.000 personave.
Sipas organizatorëve, mbajtja e këtij forumi ka për qëllim evidentimin e problemeve në këtë industri dhe propozimin e zgjidhjeve të cilat tejkalojnë sfidat që përballet sektori, sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm, si dhe ofrojnë kontribut në rritjen ekonomike.
Rekomandimet e forumit do t’iu dërgohen të gjitha institucioneve të cilat kanë autoritetin dhe përgjegjësinë për të ndërmarrë hapa konkretë në përmbushjen e kërkesave që ka ky sektor.
Në këtë forum ishin pjesëmarrës përfaqësues të qeverisë shqiptare, si ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, drejtues të dhomave të tregtisë dhe industrisë në vend, bankave, shoqërisë civile, etj.