Agon Fehmiu
23 Shkurt 2016•Përditësim: 24 Shkurt 2016
PRISHTINË (AA) – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar sot konferencën mbi “Të drejtat e pronësisë intelektuale” për të diskutuar rëndësinë e të drejtës së pronësisë intelektuale dhe ndikimin që mund të ketë ajo, në zhvillimin ekonomik, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të kësaj konference u shqyrtuan tema të ndryshme që kanë të bëjnë me “Të drejtat e pronësisë intelektuale” siç janë: rëndësia e të drejtave të autorit, luftimi i piraterisë, ndryshimet legjislative, keqpërdorimi i të dhënave personale dhe shumë tema të tjera.
Gjatë fjalimit të tij në hapje të konferencës, nikoqiri Arian Zeka, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë theksoi rëndësinë ekonomike të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale dhe rrezikun nga pirateria.
“Pirateria nuk i rrezikon vetëm të drejtat e krijuesve të veprave në fjalë. Ajo kufizon edhe burimet e shtetit për mbledhjen e të hyrave, përpjekjet e vendit për tërheqjen e investimeve të huaja, rrjedhimisht krijimin e vendeve të reja të punës. Cenon sigurinë e të dhënave të kompanive e individëve të cilët përdorin softuer të falsifikuar, u pamundëson atyre përdoruesve të nxjerrin benefite të plota”, tha Zeka, duke vë në pah se Kosova ka bërë përparim të madh në fushën e mbrojtjes së të drejtave të autorësisë, por ka ende shumë punë për t'u bërë.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë potencoi se pirateria rrezikon edhe prodhuesit edhe shtetin, në veçanti në ato shtete ku zbatimi i ligjit është i dobët, ku bënë pjesë edhe Kosova.
Mbi “Rreziqet e përdorimit të programeve të palicencuara apo të falsifikuara” foli Desislava Mateva, avokate nga ARSIS Consulting, kompani ndërkombëtare e avokatëve të specializuar për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale që vepron në mbarë botën, në Evropë, Lindjen e Mesme, Azi, në Amerikën Veriore dhe Jugore.
Ajo shpjegoi se, së bashku me kompanitë për prodhimin e programeve softuerike kanë krijuar një aleancë të quajtur BSA-Alliance, qëllimi i të cilave është të mbrojnë të drejtat e kompanive anëtare. Mateva theksoi se detyra kryesore e Aleancës BSA është promovimi i ngritjes së vetëdijes tek konsumatorët nga rreziku i përdorimit të softuerëve pirat.
“Jam e sigurtë që ju e dini se programet kompjuterike janë programe me të drejta të mbrojtura dhe ato janë pio ashtu të mbrojtura sepse janë pçjesë esenciale e jetës tonë të përditshme, si dhe çdo dot po bëhen më shumë të rëndësishme në ekonomitë dhe jetët tona sociale. Ato jo vetëm se janë pjesë e jetëve tona sociale, por programet kompjuterike sot janë mjet bazik i secilit biznes", tha Mateva.
Më tutje, ajo shpjegoi se ARSIS Consulting ka hapur degën e vet në Kosovë, në vitin 2013 dhe nga atëherë punon në tri drejtime, në nismat për edukimin dhe ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e të drejtave të mbrojtura, politikat e mbrojtjes dhe zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të drejtave autoriale.
Valon Kashtanjeva nga Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, gjatë ligjërimit mbi “Rëndësinë e të drejtave të autorit” deklaroi që Kosova tashmë e ka të formuar sistemin e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale.
“Përmes institucioneve që bëjnë politikat, janë edhe institucionet e zbatimit të këtyre të drejtave, duke përfshirë edhe Inspektoratin e tregut, Doganat e Kosovës, si dhe në momentin kur këto të drejta cenohen , pasi që cenimi i të drejtave të autorit sanksionohet me Kodin penal të Kosovës, edhe Policia e Kosovës ka tani kompetenca në zbatimin e mbikëqyrjes së respektimit të drejtave të autorit”, tha Kashtanjeva.
Ai e përmendi faktin se 70 përqind të pasurisë ose pasurisë së kompanive në botë bazohet në pasurinë jo materiale, pjesa më e madhe e të cilave është pasuria intelektuale.
Ndër pjesëmarrës dhe folës sot ishin edhe Lulëzim Syla, kryeinspektori i tregut i cili foli mbi “Luftimin Piraterisë dhe ndryshimet legjislative”, pastja Nahit Sharku nga Administrata Tatimore e Kosovës që tregoi mbi “Ndikimin në buxhetin e shtetit” si dhe Mentor Hoxhaj nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale i cili elaboroi rrezikun nga “Keqpërdorimi i të dhënave personale”.