Fatjon Cuka
08 Shtator 2017•Përditësim: 09 Shtator 2017
TIRANË (AA) - Në një tryeze diskutimi të mbajtur në Tiranë, me fokus projektin për gazsjellësin Jonian-Adriatik (IAP), ministri i Energjisë dhe Industrisë i Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, theksoi se siguria energjetike në rajon dhe në Evropë ka marrë një rëndësi jetike për arkitekturën e sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjiknuri theksoi se Shqipëria ka ndërtuar një bashkëpunim të frytshëm me strukturat homologe të vendeve të përfshira në realizmin e projektit IAP, si me Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kroacinë.
"Shpreh bindjen se takimi i sotëm do të bëjë të mundur që të arrijmë në një qëndrim të unifikuar për vazhdimin e mbështetjes për zhvillimin e projektit IAP. Qeveria shqiptare ka mbështetur vazhdimisht zhvillimin e projektit TAP, duke kontribuar në ecurinë e këtij projekti. Ky angazhim i Shqipërisë është shumë domethënies sa i përket vizionit dhe objektivave për zhvillimin e sektorit të gazit në vend. Sot në botë ka shumë pasiguri dhe është detyra jonë të gjejmë opsione që shërbejnë si zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme", u shpreh Gjiknuri.
Pjesë e tryezës së sotme ishin edhe zyrtarë të lartë nga vendet e rajonit, ambasadori i Shteteve te Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vllahutin, etj.
Sipas Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, projekti i gazsjellësit Jonian-Adriatik (Projekti IAP), synon të lidhë sistemin ekzistues të transmetimit të gazit të Republikës së Kroacisë, nëpërmjet Bosnjë Hercegovinës (në det), Malit të Zi dhe Shqipërisë me sistemin e gazsjellësit Trans Adriatic (Projekti TAP).
Sipas studimit të fizibilitetit traseja përfundimtare e projektit IAP ka një gjatësi prej 511 kilometra dhe shpenzimet totale të investimit për zhvillimin e projektit IAP parashikohen në shumën 618 milion euro. Po sipas studimit, gjatësia e pjesës së projektit IAP në Shqipëri dhe Malin e Zi është rreth 162 kilometra, ndërsa investimi në total llogaritet në rreth 288 milionë euro.