Zeynep Beyza Kılıç
22 Korrik 2024•Përditësim: 23 Korrik 2024
Ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar njoftoi se Türkiye prej dje ka rifilluar eksportin e energjisë elektrike në Irak, transmeton Anadolu.
Në njoftimin e ministrisë thuhet se ministri Bayraktar e ka shoqëruar presidentin Recep Tayyip Erdoğan gjatë vizitës së tij në Irak më 22 prill dhe se ai ka diskutuar për bashkëpunim të mundshëm me homologët në kuadër të kontakteve të tij në Bagdad dhe Erbil.
Tre muaj pas vizitës, rikujton njoftimi, të dy vendet kanë hedhur një hap të ri në fushën e energjisë, duke njoftuar se eksporti i energjisë elektrike në Irak ka rifilluar pas një pauze 3-vjeçare. Deri më 300 megavat energji elektrike do t'i ofrohet Irakut përmes linjës ekzistuese të interkonjeksionit 400 kV Cizre - Kasek ndërmjet Türkiyes dhe Irakut.
"Nga dje rifilluam eksportin e energjisë elektrike në fqinjin tonë Irakun, me të cilin do të kontribuojmë në prosperitetin dhe paqen e rajonit tonë nëpërmjet Projektit të Rrugës së Zhvillimit. Me investimet që do të bëjmë Rrugën e Zhvillimit do ta shndërrojmë në 'Rrugë Energjetike'", tha Bayraktar në postimin e tij në X.