Gökhan Ergöçün
09 Dhjetor 2020•Përditësim: 09 Dhjetor 2020
Në një takim virtual me komisionerin e tregtisë së Bashkimit Evropian (BE), Valdis Dombrovskis, ministrja e Tregtisë e Turqisë, Ruhsar Pekcan, ka deklaruar se marrëveshja e Unionit Doganor nuk përmbush nevojat e sotme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministrja turke theksoi se midis problemeve sistematike dhe strukturore, marrëveshja aktuale nuk përfshin sektorë të tillë si ai i shërbimeve dhe tregtisë elektronike.
Pekcan theksoi se sfidat pandemike ndaj ekonomisë globale rritën nevojën për të rinovuar Unionin Doganor.
"Është me rëndësi të zgjerohet marrëveshja ekzistuese për të përfshirë fusha të reja dhe për të rinovuar atë me qëllim për të adresuar problemet strukturore. Ne presim nga Komisioni Evropian lidhur me këtë çështje", u shpreh Pekcan.
Ajo theksoi se Dombrovskis, i cili mori detyrën në muajin tetor, do të përmirësojë marrëdhëniet midis Turqisë dhe BE-së dhe do të kontribuojë në një dialog më efektiv.
Duke iu referuar marrëveshjes së tregtisë së lirë me Mbretërinë e Bashkuar, Pekcan tha se Turqia synon të vendosë marrëveshjen në fuqi njëkohësisht me BE-në.
Mbretëria e Bashkuar, e cila është larguar nga BE-ja nga janari i vitit 2020, është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Turqisë dhe është një nga destinacionet kryesore të eksportit turk.
Nën kushte të reja të Brexit-it, të dy vendet kanë nevojë për një marrëveshje tregtare që të vazhdojnë të kryejnë në mënyrë efikase marrëdhëniet tregtare.
Në takimin me komisionerin e tregtisë së BE-së, ministrja Pekcan po ashtu tha se BE-ja duhet të ri-shqyrtojë politikat e saj proteksioniste mbi importet e çelikut, të cilat prekin veçanërisht Turqinë.