Zeynep Beyza Kılıç
05 Korrik 2019•Përditësim: 09 Korrik 2019
Çmimet e naftës së papërpunuar shënuan ulje të premten në mes shqetësimeve të rritjes ekonomike globale dhe rënien e kërkesës së naftës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Marka ndërkombëtare e naftës së papërpunuar, Brent filloi shitjen me 63.59 dollarë për fuçi në ora 06:31 sipas kohës lokale të premten me një rënie prej 0.42 për qind pas mbylljes së fundit me 63.86 dollarë për fuçi.
Ndërkaq çmimi i markës amerikane West Texas Intermediate ishte në 56.67 dollarë për fuçi me një rënie prej 0.36 për qind në të njëjtën kohë pas mbylljes së të enjtes me 56.88 dollarë për fuçi.
Çmimet e naftës shënuan ulje, pavarësisht tensioneve të larta në Lindjen e Mesme që mund të ndërpresin rrugët e furnizimit dhe të çojnë në rritjen e çmimeve.
Marina Mbretërore Britanike të enjten konfiskoi tankerin iranian me naftë që besohet se ishte nisur për në Siri.
Supertankeri dyshohet se transportonte naftë të papërpunuar në rafinerinë e naftës Baniyas në Siri, e cila sipas ligjeve të Bashkimit Evropian përbën shkelje të sanksioneve të vendosura ndaj regjimit të Bashar al-Assad-it.
Pas lajmit, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve John Bolton përshëndeti veprimin britanik si "një lajm të shkëlqyer".
"Amerika dhe aleatët tanë do të vazhdojnë të parandalojnë regjimet në Teheran dhe Damask të përfitojnë nga kjo tregti e paligjshme", tha Bolton në Twitter.