Hakan Ceyhan Aydoğan
07 Dhjetor 2016•Përditësim: 07 Dhjetor 2016
MOSKË (AA) – Kryeministri i Turqisë Binali Yıldırım tha se ka filluar një periudhë e re në marrëdhëniet Turqi-Rusi dhe se kjo është konfirmuar edhe në takimin me presidentin rus Vladimir Putin dhe kryeministrin Dmitry Medvedev, raporton Anadolu Agency (AA).
Në intervistën për agjencinë ruse të lajmeve Interfax gjatë vizitës në Moskë, kryeministri Yıldırım ka shpalsour vlerësimet e tij në lidhje me krizën në Siri, marrëdhëniet Turqi-Rusi dhe Organizatën për Bashkëpunim të Shangait.
Duke potencuar se Turqia u jep rëndësi të madhe marrëdhënieve me Rusinë, Yıldırım u shpreh se “Mund të themi se në marrëdhëniet tona ka filluar një periudhë e re. Kjo u konfirmua edhe në takimet me presidentin Putin dhe kryeministrin Medvedev".
Yıldırım tha se në takimet me Putin dhe Medvedev kanë diskutuar në lidhje me çështjen siriane.
“Presidenti Erdoğan dhe Putin shpeshherë diskutojnë mbi Sirinë. Kjo çështje ka tre komponentë. I pari ka të bëjë me gjakderdhjen e vazhdueshme në Halep. I dyti është eliminimi i aktiviteteve terroriste në jug të shtetit tonë dhe i treti parandalimi i YPG/PKK-së e cila realizon aktivitete kundër Turqisë nga ky rajon”, theksoi Yıldırım.
Në lidhje me operacionin "Mburoja e Eufratit", Yıldırım tha se ky "operacion nuk ka asnjë lidhje me ndodhitë në Halep dhe ndryshimin e regjimit në Siri. Ky operacion ka vetëm një qëllim, e ai është të neutralizohen të gjitha organizatat terroriste në rajon, me në krye DEASH-in".
“Fati i popujve të Sirisë është më i rëndësishëm se fati i Asadit”
I pyetur “A diskutoni me Moskën në lidhje me të ardhmen e Asadit?”, Yıldırım u përgjigj se “Fillimisht duhet shikuar se kush është më me rëndësi, fati i Asadit, apo fati i shtetit. Pa dyshim, fati i popujve të Sirisë është më i rëndësishëm se fati i një njeriu, pra fati i Beshar Asadit".
Sipas tij, Siria deri tani është drejtuar nga Asadi, por, pas të gjitha ndodhive në Siri, kjo duhet të ndryshojë.
“Mbi 600 mijë njerëz të pafajshëm kanë humbur jetën. Krahas kësaj, nëntë-dhjetë milionë njerëz u detyruan t’i braktisin shtëpitë. Prej këtyre, tre milionë i kemi mysafir në Turqi. Turqia ka kufi prej 911 kilometrash me Sirinë. Turqia është një nga shtetet më të ndikuara nga ndodhitë në Siri. Natyrisht, më shumë se gjithçka, neve na intereson e ardhmja e Sirisë. Ne jemi në kontakt me Rusinë, Iranin dhe shtetet e tjera të rajonit në lidhje me atë se çfarë do të ndodh në të ardhmen në Siri. Shpresoj që shumë shpejt të arrijmë marrëveshje në këtë pikë”, u shpreh Yıldırım.
“Turqia nuk dëshiron ndryshimin e integritetit kombëtar dhe territorial të Sirisë”
Në pyetjen se a është e mundur një strukturë federative në Siri, Yıldırım tha: “Që nga fillimi ne qëndrojmë prapa përkushtimit tonë në lidhje me këtë çështje. Integriteti territorial i Sirisë duhet mbrojtur, Siria është vetëm e sirianëve dhe e atyre duhet ngelur. Grupe të ndryshme etnike bashkëjetonin në Siri dhe mund të bashkëjetojnë edhe në të ardhmen. Turqia nuk dëshiron ndryshimin e integritetit kombëtar dhe territorial të Sirisë".
“Është me rëndësi që Rusia të ushtrojë presion mbi qeverinë e Sirisë për armëpushim”
Në pyetjen “A është e vërtetë se Turqia ka siguruar platformë për takim midis përfaqësuesve rusë dhe atyre të opozitës siriane”, Yıldırım u përgjigj: “Po bëjmë gjithçka që të sigurohet kontakt midis përfaqësuesve opozitarë dhe rusë. Është arritur sukses në këtë drejtim. Nëse marrëveshja e arritur shndërrohet në dokument, atëherë kjo do të jetë në leverdi të të gjithëve. Tani është koha për të korrur rezultate".
I pyetur se çfarë është kjo marrëveshje, Yıldırım tha se “Qëllimi ynë i përbashkët është t’i shpëtojmë njerëzit që po vdesin si pasojë e zjarrit. Asgjë nuk mund të jetë më e vlefshme se jeta e njeriut. Nëse duam ta ndalim gjakderdhjen, nëse ka një mundësi të tillë, ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për ta arritur këtë. Në këtë drejtim, është me rëndësi që Rusia të ushtrojë presion mbi qeverinë Sirinë në mënyrë që kjo e fundit të hedh hapa në drejtim të armëpushimit".
Marrëdhëniet Turqi-Rusi
Yıldırım tha se së bashku me Rusinë kanë marrë vendimin që t’i kompensojnë humbjet që u shkaktuan nga ngjarja shqetësuese mes dy shteteve.
Sipas Yıldırım, mes Turqisë dhe Rusisë ka projekte të mëdha në fushën e energjisë dhe është e nevojshme që këto të përshpejtohen. “Po ashtu, këtyre u janë shtuar edhe çështje nga fusha e industrisë hapësinore dhe e mbrojtjes. Në kuadër të kësaj do të ketë edhe projekte të reja”, vazhdoi Yıldırım.
I pyetur se a interesohet Turqia për sistemin e mbrojtjes ajrore të Rusisë, Yıldırım u shpreh: “Ne nuk e diskutuam këtë projekt në veçanti. Këto tema i diskutuam në përgjithësi. Të dyja palët konsiderojnë se është i nevojshëm zhvillimi i marrëdhënieve. Kjo nuk bën pjesë në fushën time të përgjegjësisë. Rreth kësaj duhet të flisni me ekspertë. Unë vetëm mund të them se kemi arritur disa marrëveshje në fushën e industrisë hapësinore dhe industrisë së mbrojtjes".
Organizata për Bashkëpunim e Shangait
I pyetur se kur Turqia do të aplikojë për anëtarësim në Organizatën për Bashkëpunim të Shangait, Yıldırım u përgjigj se “Ne jemi partner dialogues i Organizatës për Bashkëpunim të Shangait dhe vazhdojnë punimet për zhvillimin e marrëdhënieve me të. Megjithatë, një gjë është e qartë, zhvillimi i marrëdhënieve tona me Organizatën për Bashkëpunim të Shangait nuk është alternativë për anëtarësinë tonë në unionet e tjera. Ka shumë organizata të tjera të ngjashme me Organizatën e Shangait në të cilat Turqia është anëtare".