Zülfiya Yakup
03 maj 2016•Përditësim: 03 maj 2016
PRISHTINË (AA0 - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur sot shqetësimin për siç thonë përkeqësimin e gjendjes së lirisë së mediave në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, AGK rikujton se të bërit gazetari në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e vështirë pasi gazetarët po përballen me presion të shtuar dhe ngushtim të hapësirës së veprimit të lirë.
“Vetëm gjatë viteve 2014 dhe 2015 në AGK janë raportuar 27 respektivisht 24 raste të sulmeve, kërcënimeve, presioneve, fyerjeve dhe pengimit në punë të gazetarëve, që tregon për rritje të numrit krahasuar me rastet e raportuara në vitet paraprake ku kanë qenë 15 deri 18 raste”, thuhet mes tjerash në njoftimin e AGK-së, i cili rikujton se përveç sulmeve kërcënimeve dhe presionit të jashtëm nga politika, grupet e interesit dhe institucioneve të tjera, gazetarët janë të privuar nga të drejtat elementare të punës siç është kontrata pune dhe pagesa e jo dinjitetshme për punën që bëjnë.
“Duke marrë parasysh këtë gjendje, AGK kërkon nga institucionet e Kosovës që ti zbatojnë mekanizmat ligjore për mbrojtjen e gazetarëve dhe krijimin e një ambienti të përshtatshëm për zhvillimin e lirisë së shprehjes, si një ndër elementet fundamentale të demokracisë”, thuhet mes tjerash në njoftim.