Ahmet Esad Şani
29 Janar 2019•Përditësim: 29 Janar 2019
STAMBOLL (AA) - Është shpalosur juria e edicionit të pestë të konkursit të fotografisë "Istanbul Photo Awards" të organizuar nga Anadolu Agency (AA).
Në jurinë e këtij viti të konkursit marrin pjesë redaktorja digjitale e revistës franceze Paris Match, Marion Mertens, anëtari agjencisë NOOR fotoreporteri Yuri Kozyrev, fotoreporteri dhe këshilltari multimedial Georges De Keerle, drejtori i sektorit të Shpërndarjes së Fotografive dhe Zhvillimit Afarist të agjencisë AFP, Michel Scotto, fotoreporterja dhe autorja Deborah Copaken, kryeredaktori i Lajmeve Vizuele të AA-së, Ahmet Sel, dhe redaktori fotografik i AA-së Fırat Yurdakul.
Deborah Copaken merret me fotogazetari në Afganistan, Izrael, Rumani, Zimbabve dhe Rusi.
Fotografitë e Copaken, e cila në të njëjtën kohë është edhe producente e shpërblyer nga Emmy Awards, janë publikuar në mediat ndërkombëtare si New York Times, Financial Times, L'Express, Libération, Géo dhe Stern.
Copaken është autore e librave që kanë arritur shitje të mëdha, si "Shutterbabe" dhe "The Red Book", ndërsa ende është kolumniste në revistën The Atlantic.
Juria do të mblidhet në prill
Anëtarët e jurisë do të mblidhen në muajin prill në Turqi për t'i përcaktuar fotografitë fituese të garës.
Fotografët profesionistë mund të jenë pjesë e konkursit, aplikimet për të cilin i janë afruar fundit, me fotografi lajmesh dhe sportive të shkrepura brenda vitit 2018.
Aplikimet mund të bëhen deri më 31 janar në mesnatë në adresën e internetit "www.istanbulphotoawards.com" në katër kategori, edhe atë "Lajm tek", "Lajm seri", "Sport tek" dhe "Sport seri".
Fituesit në secilën kategori do të shpërblehen me nga 5.000 dollarë, vendet e dyta me nga 3.000, kurse vendet e treta me nga 1.500 dollarë. Ndërkohë, "Fotografia e Vitit", e cila do të shpërblehet me 8.000 dollarë, do të përzgjidhet nga kategoria "Lajm tek".
Sikurse viteve të kaluara, edhe fotografitë fituese në Istanbul Photo Awards 2019 do të publikohen në albumin që do të përgatitet dhe do të shfaqen në ekspozita ndërkombëtare.
Fotografitë e shpërblyera në Istanbul Photo Awards 2018 janë ekspozuar në ekspozita të organizuara në New York, Stamboll dhe Ankara, si dhe janë përfshirë në albumin me fotografi i cili u është dërguar fotoreporterëve nga 60 vende, organeve mediatike, agjencive të fotografive dhe bibliotekave.