Kasım İleri
20 Shtator 2016•Përditësim: 20 Shtator 2016
NEW YORK (AA) – Organizata terroriste DAESH nuk mund të mposhtet lehtë pa operacione tokësore, deklaroi të hënën ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).
“Këtë e kërkojmë në çdo takim. Pa operacione tokësore nuk mund të mposhtësh këtë organizatë të përgjakshme terroriste”, deklaroi Çavuşoğlu gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan CNN.
Ai tha se Turqia ka dërguar forcat e saj speciale për të asistuar në tokë Ushtrinë e Lirë Siriane (ULS) mirëpo siç tha me një armik të përbashkët partnerët e koalicionit do të duhet të kenë edhe qëllim të përbashkët, mposhtjen e DAESH-it.
Duke u përgjigjur në pyetjen për hapat e ardhshëm të Turqisë në operacionin “Mburoja e Eufratit”, Çavuşoğlu tha se shteti i tij dëshiron të shndërrojë zonën 98 kilometërshe rreth qytetit Manbij përgjatë kufirit turko-sirian një zonë të lirë dhe pa prani të DAESH-it.
Ai tha më tej se qyteti al-Bab, një bastion i DAESH-it 40 kilometra nga kufiri me Turqinë dhe qyteti Rakka, kryeqyteti i vetshpallur i DAESH-it do të jenë caqet e ardhshme të cilat do të rimerren nga DAESH-i.
Së fundmi Turqia njoftoi koalicionin se do të përkrahë forcat tokësore për të marrë kontrollin mbi qytetin Rakka.
Çavuşoğlu vuri në dukje rëndësinë e rimarrjes së Rakkës nga DAESH-i duke thënë se “në qoftë se grupi terrorist pastrohet nga ato zona që korrespondojnë me rreth 5.000 kilometra katrorë, rajoni mund të shndërrohet në një zonë sigurie për refugjatët sirianë.
Ai tha se liderët evropian kanë përkrahur këtë ide por se amerikanët akoma hamenden.
Çavuşoğlu u pyet nga gazetarja se çka është duke e ndaluar Turqinë për të mposhtur grupin militant pasi për vetëm disa orë mposhti lehtë DAESH-in në Jarabulus.
“Pas operacionit në Jarabulus u fitua vetëbesimi se DAESH-i mund të mposhtet lehtë, pra nuk është edhe aq vështirë”, tha ai.
"Ne jemi 65 vende në koalicionin kundër DAESH-it ndërsa ai ka ndoshta 30.000 terroristë”, tha Çavuşoğlu sipas të cili disa shtete nuk kanë dashur të dërgojnë forcat e tyre për të ndihmuar luftën kundër DAESH-it mirëpo në të njëjtën kohë kanë kërkuar nga Turqia të shkojë e vetme.
“Përse Turqia e vetme?”, pyeti ai. “Ky është një armik i përbashkët. Bashkërisht duhet ta mposhtim”, tha mes tjerash Çavuşoğlu gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan CNN.