Bilgin S. Şaşmaz
10 Qershor 2017•Përditësim: 11 Qershor 2017
CHICAGO (AA) – Ekspozita interaktive në muzeun Field, në qytetin amerikan të Chicagos, temë e së cilës është filmi "Jurassic World" nga fundi i majit është e hapur për vizitorët, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ishulli i dinosaurëve" zë një sipërfaqe prej 1500 metra katrorë ndërsa vizitorëve u ofron eksperiencë të paharrueshme. Ekspozita do të jetë e hapur deri në janar të vitit 2018.
Ekspozita është përgatitur në përputhje me temën kryesore të filmit, dhe fillon me udhëtimin në ishullin e dinosaurëve. Vizitorët që hyjnë në ishull, kalojnë nëpër derën në të cilën shkruan "Jurassic World" dhe kështu ata futen në një botë krejtësisht të ndryshme.
Aventura fillon në laboratoret ku dinosaurët evulojnë gjenetikisht dhe më pas vizitorët nga afër njoftohen me llojet e dinosaurëve, ekzemplarët e të cilëve duken të gjallë.
Me rastin e kalimit në sallonet ekspozuese të cilat janë të ndërlidhura mes vete, vizitorët, sipas skenarit, bëhen dëshmitarë të sulmeve të dinosaurëve gjigantë.
Kjo ndërthurje e argëtimit, emocioneve dhe frikës e cila do të jetë e hapur deri më 7 janar 2018, çdo ditë vizitohet nga mijëra njerëz, kryesisht fëmijë.