Admir Fazlagikj
22 Nëntor 2016•Përditësim: 23 Nëntor 2016
SHKUP (АА) – Në Muzeun Ushtarak të Maqedonisë sot solemnisht u hap ekspozita “100 vjet nga Lufta e Parë Botërore: Armata italiane në Frontin e Maqedonisë 1916-1918”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në solemnitetin me rastin e hapjes së ekspozitës së muzeut u adresua ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë Zoran Jolevski i cili tha se me ekspozitën e sotme vazhdon shënimi i njëqind vjetorit të Luftës së Parë Botërore si përkujtim i të gjitha vuajtjeve të njerëzimit dhe dërgimin e porosive të paqes dhe bashkëjetesës si dhe ndërtimin e një bote prosperuese për gjeneratat e ardhshme.
“Me ekspozitën Armata italiane në Frontin e Maqedonisë 1916-1918 para opinionit të Maqedonisë e prezantojmë materialin muzeor të cilin Ministria e Mbrojtjes e merr si donacion nga ambasada e Italisë në Shkup. Deri tani materialet e pabotuara muzeore dhe ushtarako-historike për pjesëmarrjen e armatës italiane në frontin e Maqedonisë paraqesin material burimor që për herë të parë ndonjë vend pjesëmarrës në luftërat e fronit të Maqedonisë zyrtarisht i ndan me institucionet e Republikës së Maqedonisë. Fotografitë dhe hartat origjinale të pozicioneve të frontit të Maqedonisë të cilat sot janë këtu para nesh janë bërë nga armata italiane, gjatë Luftës së Parë Botërore”, tha Jolevski.
Në hapjen e ekspozitës u adresua edhe ambasadori i Italisë në Shkup, Karlo Romeo duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin me institucionet e Maqedonisë për organizimin e kësaj ngjarje.
“Divizioni i tridhjetë e pestë italian vepronte në atë front më shumë se tre vite dhe gjeografët e njësive shpërndarëse kanë dëshmi për aftësitë e tyre të shkëlqyeshme teknike duke krijuar fotografi panoramike dhe harta të cilat sot janë ekspozuar”, tha ambasadori Romeo, duke shtuar se “në kohën kur Google hartat nuk ekzistonin, këto gjeografë bënë prodhim që ka saktësi të konsiderueshme edhe nga këndvështrimi i sotëm”.
Në hapjen e ekspozitës morën pjesë edhe përfaqësuesit e korit diplomatik në vend në mesin e të cilëve, ambasadori amerikan Jess Beyli dhe shefi i Minisionit të Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zhbogar si dhe shumë përfaqësues të institucioneve shtetërore.