Leyla Ataman Koyuncuoğlu
25 Dhjetor 2016•Përditësim: 26 Dhjetor 2016
ANTALIA (AA) - Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, duke theksuar se Rusia ka mbajtur fjalën në të gjitha punimet e kryera për armëpushimin në Siri dhe për ndihmat humanitare tha se "Në të njëjtën mënyrë edhe Turqia ka mbajtur fjalën e saj. Në këtë periudhë Rusia dhe Turqia i kanë besuar njëra-tjetrës kryesisht në çështjet strategjike. Turqia dhe Rusia e kanë kuptuar se mund ti besojnë njëra-tjetrës", raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Çavuşoğlu, ka marrë pjesë në takimin konsultativ me krerët lokalë të mbajtur për të tretën herë në një hotel në rajonin Kemer nga bashkia e madhe e qytetit Antalya.
Në fjalën e tij ministri Çavuşoğlu duke përmendur projektet e vëna në zbatim nga qeveria, është shprehur se pavarësisht të gjitha vështirësive të përjetuara Turqia po vazhdon investimet dhe se projektet e rëndësishme po i vendos në shërbim një e nga një.
Ai ndër të tjera ka vënë në dukje se do të vazhdohet deri në fund lufta kundër FETÖ-s, PKK-së dhe DEASH-it.
"Ne do të vazhdojmë luftën tonë brenda dhe jashtë kufijve. Shprehen se çfarë pune kanë ushtarët turq në El Bab. Atëherë DEASH-i atje a nuk vjen dhe vendos në objektiv qytetarët tanë? A nuk ka vrarë civilët, njerëzit e pafajshëm në Gaziantep? A nuk ka shpërthyer bombë në mes të Stambollit? Detyra jonë, përgjegjësitë tona a nuk janë që të gjejmë ato tradhtarë dhe t'iu japim ndëshkimin e merituar? Me PKK-në e pabesë ne po luftojmë edhe brenda në qytet, ku ata nuk munden ti dalin përballë burrërisht ushtarëve dhe policëve tanë. Ne i sulmojmë nëpër malet e shpellat ku po fshihen. Ata janë të pabesë ashtu si edhe FETO, të cilët qëlluan prapa shpine ambasadorin rus Karlov. Kjo është pikërisht një tradhti, një veprim që i përshtatet FETO-s. Ne ashtu siç qëllojmë PKK-në përtej kufijve në Irak duhet që edhe DEASH-in ta qëllojmë kudo që ai ndodhet. Nëse ne nuk jemi në veprim, atëherë do të jenë ata që do të vijnë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë me çdo lloj armiku për të mbrojtur unitetin dhe integritetin e vendit, për këto territore të cilat janë një amanet i dëshmorëve tanë", u shpreh ministri Çavuşoğlu.
Gjithashtu duke përsëritur luftën e vazhdueshme brenda dhe jashtë vendit kundër FETO-s, kreu i diplomacisë turke tha se "Nga jashtë vendit kemi sjellë shumë tradhtarë. Disa vende na luten që 'mos i deklaroni'. Deri më sot kemi mbyllur ose kemi marrë në dorëzim mbi 80 institucione. Në Guine kemi marrë në dorëzim 5 shkolla dhe 2 prej tyre iu kemi vendosur emrin e dëshmorit të 15 korrikut Ömer Halisdemir".
Ndërsa në lidhje me Halepin, Çavuşoğlu u shpreh se atje kishin mbetur të bllokuar nën bombardime afërsisht 50 mijë njerëz dhe se asnjë vend tjetër nuk ka treguar ndjeshmërinë që tregoi Turqia. Ai ka shtuar më tej se Turqia jo vetëm për njerëzit në Halep, por ajo po punon për vendosjen e një armëpushimi dhe për sigurimin e paqes në Siri, ku në këtë kuadër presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka kryer bisedime të shpeshta me presidentin rus Vladimir Putin, Presidentin amerikan Barack Obama, kancelaren gjermane Angela Merkel dhe me shumë liderë të vendeve të tjera.
Turqia vetëm vitin e kaluar ka kryer 3,2 miliardë dollarë ndihma humanitare, dhe 3,9 miliardë ndihma për zhvillim.
Pasi ka theksuar se janë treguar përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe se pengesat po hiqen një e nga një, Çavuşoğlu ka vlerësuar: "Për hir të tregtisë nuk kemi hequr dorë nga principet tona. Dhe asnjëherë nuk e kemi shitur sidomos njerëzimin. Në të kaluarën në lidhje me Sirinë kemi kritikuar edhe Rusinë edhe vendet e tjera, kryesisht disa vende që mbështesin regjimin atje dhe dërgojnë milicë. Por në procesin e fundit Rusia ka qëndruar në fjalën e saj për armëpushimin, dërgimin e ndihmave humanitare, për shpëtimin e atyre njerëzve atje si dhe për të gjithë punimet që do të kryejmë pas kësaj për të përhapur armëpushimin në të gjithë Sirinë. Në periudhat në vijim do të hiqen të gjitha pengesat për frutat dhe perimet. Ne po vazhdojmë bisedimet dhe po punojmë për heqjen e çdo pengese."