Ekip
04 Korrik 2016•Përditësim: 05 Korrik 2016
SHKUP/TIRANË/PRISHTINË (AA) - Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni (BFI), Sulejman Rexhepi ka dërguar një mesazh urimi me rastin e festës së Bajramit të Ramazanit, në të cilin ai falënderon Allahun që ka mundësuar të arrihen kënaqësitë gjatë tërë muajit të agjërimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalimin e tij mes tjerash, Rexhepi tha se nuk ka bukuri më të madhe se sa përpjekjet e pareshtura për të çuar tërë jetën ashtu siç e kalohet në muajin e Ramazanit, me adhurime të përbashkëta, me vizita vëllazërore te njëri-tjetri me zgjatjen e dorës së mëshirës për të varfrit dhe me vepra bamirësie.
“Nesër kemi festën e Bajramit. Të gjithë të gëzuar sepse plot shendeverë përmbushëm obligimet tona fetare. Agjëruam dhe u lutëm për mbarësi e për begati si në mesin tonë ashtu edhe në mbarë botën. Me këtë shpirt të dëlirë vazhdojmë edhe në ditën e Bajramit duke ia shtrirë dorën njëri-tjetrit, duke e përqafuar vëllai vëllanë, duke gëzuar sofrën e të varfërve , duke shtuar dashurinë dhe përkujdesin për jetimët, për prindërit tanë dhe familjet tona”, tha në urimin e tij kreu i BFI-së.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skender Bruçaj në urimin e tij me rastin e përfundimit të muajit të Ramazanit dhe festës së madhe të Bajramit tha se po e përcjellim me përmallim muajin e Bekuar të Ramazanit, me shpresën e madhe, që Zoti të ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar lutjet, adhurimet dhe sakrificën.
“Ramazani na mësoi se mirësitë dhe begatitë që na ka dhënë i plotfuqishmi, marrin kuptim, vetëm atëherë kur ndahen me të tjerët me synim fitimin e kënaqësisë së Zotit. Lutjet, adhurimet, sakrifica, dhe ripërtëritja shpirtërore që përjetuam gjatë muajit të bekuar të Ramazanit na forcon dhe motivon ta shohim festen e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e të kujtuarit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si ditën e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren", shprehet Bruçaj në urimin e tij.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava sot në selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame në Prishtinë iu drejtua opinionit të gjerë musliman me një mesazh urimi, me rastin e përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe kremtimit të festës së Fitër Bajramit.
Në fjalimin e tij Tërnava u shpreh se festa e Fitër Bajramit vjen si rezultat i kryerjes së një prej obligimeve më madhore të fesë Islame, agjërimit gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.
“Kjo ditë e Bajramit e cila vjen pas një sakrificë të madhe vetëm për Zotin Krijues, me të drejtë shpresojmë në shpërblimin nga i Madhi Zot. Ditë e cila rritë edhe besimin te Zoti edhe shpresën për një jetë më të mirë, duke e ditur se festa e Bajramit është festa më e bekuar për besimtarët islam”, u shpreh Myftiu Tërnava.
Duke theksuar vlerën e festës së Fitër Bajramit, Tërnava u shpreh se gjatë kësaj feste duhet përhapur ndjenjën e vëllazërisë, mirësisë e të dashurisë me njëri-tjetrin, ku urimet dhe vizitat nëpër familjet janë tradita që duhet ndjekur. Ai shtoi se në këto momente festive duhen rikujtuar personat e varfër, të sëmurët, të paaftët për punë si dhe të gjithë ata që janë në nevojë.