Agon Fehmiu
04 Dhjetor 2015•Përditësim: 05 Dhjetor 2015
PRISHTINË (AA) – Gjykata e Apelit, të enjten më 3 dhjetor të vitit 2015, e ka konsideruar si të pabazë ankesën e avokates mbrojtëse të deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, e cila kishte kërkuar lirimin e tij dhe e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji.
Kështu, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, sipas të cilit, Kurti dyshohet nga ana e prokurorisë, për tri vepra penale: Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Në arsyetimin e vendimit, Apeli ka vlerësuar se pretendimet e ankesës se “nuk ekziston dyshimi i bazuar” nuk qëndrojnë sepse, provat materiale të cilat i ka prezantuar prokurori i rastit e vërtetojnë pretendimin e prokurorit.
“Ekzaminimi i vendit të ngjarjes, fotografitë dhe video-incizimet e marra nga regjia e objektit, ku dyshohet të ketë ndodhur ngjarja, e argumentojnë dyshimin e bazuar, respektivisht, japin njohuri që do të bindte një vëzhgues objektiv, se një vepër penale ka ndodhur, dhe se personi në fjalë ka më shumë gjasë që ta ketë kryer atë, se sa mos ta ketë kryer” thuhet në vendimin e Apelit, të dhënë përmes komunikatës publike.
Në fund, Gjykata e Apelit vlerëson që gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të qarta dhe konkrete se “...i pandehuri brenda një periudhe të shkurtër kohore, dyshohet t’i ketë përsëritur veprat penale, tregon rrezikun se po të ndodhej në liri, ai përsëri do të vepronte njësoj.
Albin Kurti u arrestua më 28 nëntor të këtij viti, në selinë e Vetëvendosjes në Prishtinë, pas paraqitjes dhe fjalimit të tij në manifestimin protestues të opozitës, përkundër fletarrestit të lëshuar për shkak të mos përgjigjes para organeve të drejtësisë. Gjatë aksionit të ndërmarrë nga policia e Kosovës, ku ishin përfshirë edhe njësitet speciale, ishin arrestuar 97 persona, lënduar 6 aktivistë dhe 2 policë.