Sibel Vezaj
05 tetor 2016•Përditësim: 05 tetor 2016
PRISHTINË (AA) - Grupi i qytetarëve #Protestoj sot ndërmorri një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku u theksua pakënaqësia për gjendjen e qytetarëve të Kosovës, si arsye e nivelit të lartë të korrupsionit në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesja e këtij grupi, Aulona Mehmeti tha se Kosova është vendi më i varfër në Evropë, për shkak të keq qeverisjes së vendit.
“Vendi ynë përballet me sfida, kuptohet se jemi një vend i dalur nga lufta dhe në tranzicion por kjo nuk është arsyeja pse ne ende vazhdojmë të përballemi me probleme qenësore si korrupsioni, nepotizmi, papunësia. Mbi të gjitha assesi nuk duhet ta gënjejmë veten se lufta është arsyeja që sot ne jemi vendi më i varfër në Evropë dhe me papunësi marramendëse”, u shpreh Mehmeti.
Ajo potencoi se Kosova ka popullsinë më të re në rajon, Mehmeti theksoi se 58 përqind e tyre janë të papunë. “Nga 2 milionë banorë që i ka vendi ynë, vetëm 295 mijë janë të punësuar. Largimi masiv i të rinjve në fillim të vitit të kaluar drejt rrugëve të botës, në kërkim të një jete më të mirë dhe të një çik shprese, është barometër i gjendjes së mjerueshme në vend”, tha Mehmeti.
Duke përmendur përgjimet e deputetit, Adem Grabovci dhe të politikanëve të tjerë, siç i quan ky grup të “Klanit Pronto”, Mehmeti theksoi se kërkojnë llogaridhënie, politika më të mira qeverisëse dhe një Kosovë ku çdo i ri dhe e re dëshiron të jetojë.
Ky grup paralajmëroi se nesër do vazhdojnë protestat kundër korrupsionit dhe krimit.
Grupi #Protestoj ka filuar të ndërmarrë protesta të tilla në kryeqytetin e Kosovës, pas publikimit të përgjimeve të ish-kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.