Admir Fazlagikj
07 Shtator 2016•Përditësim: 08 Shtator 2016
SHKUP (AA) - Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë përmes një kumtese doli me detaje për aksidentin e mbrëmshëm të avionit komercial i cili u zhduk nga radari në ora 17:36, 10 kilometra nga aeroporti "Aleksandri i Madh" në Shkup në drejtim të Velesit, transmeton Anaolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të para të Kontrollit të Fluturimit avioni privat ka qenë “PAJPER PA 34“ me targa gjermane dhe se i njëjti është nisur nga Trevizo e Italisë me destinacion final Prishtinën përmes Maqedonisë, për çka është paraqitur në aeroportin e Shkupit për furnizim me karburant.
Rreth orës 18:45 përmes telefonit Sektori i Punëve të Brendshme në Veles, ka marrë informatë se një banor i fshatit Kozhle, komuna Petrovec-Shkup ka dëgjuar një shpërthim pas çka rreth orës 20:00 policia e Petrovecit bashkë me banorët e fshatit kanë gjetur mbetjet e avionit në vendin “Jellovica” në afërsi të fshatit.
“Pas kontrollit në terren janë gjetur mbetje të avionit, njëri krah me rrotë, kuti e metaltë elektronike, dy telefonë celularë, bileta të udhëtimit, dhe një pasaportë italiane. Menjëherë pas informacionit të marrë në ora 18:45 është aktivizuar Njësiti për Operacione Speciale të Policisë ku janë angazhuar 50 policë me 10 mjete motorike si dhe 120 policë tjerë me 15 mjete motorike nga Njësiti për Zbarkim të Shpejtë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Në kumtesën e saj, MPB-ja thotë se pas sigurimit të perimetrit, në vendngjarje ka dalur Prokurori Publik i cili ka fotografuar aksidentin por në mungesë të kushteve për të kryer hetimin i njëjti ka vazhduar në orët e mëngjesit.
Policia gjithashtu njofton se gjatë natës është formuar një ekip profesional i përbërë nga prokuror Publik, Mjekësia Ligjore, hetues nga Komiteti për hetimin e aksidenteve ajrore dhe zyrtarë policorë nga Departamenti për Hetime Kriminale-Teknike të cilët në ora 06:00 të mëngjesit të sotëm kanë shkuar në vendngjarje për të gjetur dëshmi të cilat do të zbardhnin shkaktarin e aksidentit dhe vdekjen e udhëtarëve.
Rikujtojmë se dje rreth orës 17:40 në afërsi të Katllanovës është humbur kontakti me avionin me shenja të Gjermanisë i cili ka qenë duke kryer aktivitete komerciale, ndërsa ka fluturuar nga Trevizo e Italisë.
Në avion kanë qenë 6 persona, prej të cilëve 4 shtetas italianë dhe 2 shtetas të Kosovës. ±±±Avioni u zhduk nga radarët në Kontrollin për fluturime në Aeroportin e Shkupit “Aleksandri i Madh”, dhjetë kilometra në pistën nga hyrja-dalëse.