Seyyid Emin
06 Mars 2020•Përditësim: 09 Mars 2020
Në organizim të Riasetit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BFI), sot në hutben e namazit të xhumasë nëpër xhamitë në vend u bënë lutje për të gjithë dëshmorët në botë dhe në veçanti për ushtarët turq që ranë dëshmorë javën e kaluar në Idlib të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hutben e xhumasë në Xhaminë e Dyqanxhikut në Shkup, ligjëruesi Remzi Isaku tha se po bëjnë lutje për të gjithë dëshmorët në botë dhe veçanërisht për Turqinë, siç tha ai, si pasardhëse e Perandorisë Osmane, e cila tashmë disa vjet strehon rreth katër milionë refugjatë.
Ai tha se "baballarët dhe gjyshërit tanë" kanë marrë pjesë në Çanakala, sipas tij, jo me lutje, por duke marrë pjesë personalisht.
"Prandaj, e kemi obligim, kemi lidhshmëri, jo në aspektin nacional, në aspektin e shehadetit na lidh; 500 vjet kanë sunduar, lidhja jonë nuk është lidhje tjetër pos lidhje e besimit, e prandaj e kemi obligim të bëjmë dua për vëllezërit tanë", tha Isaku.
"E kemi obligim të bëjmë dua për familjet e tyre. E kemi obligim për atë shtet që ta ruajmë, sepse ai promovon për momentin vlera për të ruajtur nderin dhe për t'i ruajtur fëmijët dhe gratë e pafajshme", shtoi ai.
Isaku kritikoi edhe qëndrimin e shteteve perëndimore ndaj emigrantëve, duke thënë se nuk është civilizim që të vriten gratë dhe fëmijët e pafajshëm dhe të mbyten ata nëpër anije.
"Nuk mbahet në mend në historinë e osmanëve të vriten gra dhe të torturohen gra", theksoi ai.