Bekim Laci
11 Prill 2016•Përditësim: 11 Prill 2016
SHKUP (AA) - Njëzet e tre policë dhe nëntë pjesëtarë të Armatës së Republikës së Maqedonisë janë lënduar nga incidenti i djeshëm me emigrantët të cilët tentuan me dhunë të hyjnë nga Greqia në territorin e Maqedonisë, ndërsa janë dëmtuar edhe tre automjete policore dhe pesë të ARM-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç bëjnë të ditur nga MPB nuk ka të lënduar në mesin e policëve ndërkombëtarë të cilët patrullojnë kufirin, ndërkohë që janë dhënë informacione për kronologjinë e ngjarjeve të djeshme.
Sipas vlerësimeve të para të MPB-së në këtë incident, janë përfshirë mbi 3000 emigrantë, ndërkohë që sipas njoftimit thuhet se policia greke nuk ka ndërhyrë për të parandaluar trazirat në vijën kufitare.
“Të dielën pas informacioneve paraprake të siguruara se në orën 09.00 në gurin 59 të kufirit janë të mundura protesta dhe tentativë për hyrje të organizuar ilegale në vend u ndërmorën masat për sigurimin e kufirit të shtetit. Masat parashikonin prezencë të shtuar të policisë dhe ushtrisë, por edhe të policëve ndërkombëtar nga Hungaria, Çekia, Serbia, Sllovenia, Kroacia dhe Austria” thuhet në njoftimin e MPB-së.
Aty sqarohet se në orën 09:30 në gurin 59 kanë ardhur përfaqësues të policisë greke bashkë me përfaqësues të emigrantëve për të vërtetuar në takim me policinë e Maqedonisë se informacionet për hapje të kufirit nuk janë të vërteta.
MPB njofton se në orën 10:50 një grup më i madh i emigrantëve, mes 1000 dhe 2000 personave, kanë protestuar dhunshëm 100-200 metra në të djathtë nga guri kufitar 59, duke hedhur gurë dhe sende të ndryshme. Policia dhe ushtria kanë vepruar në drejtim të mbajtjes larg të emigrantëve, ku kanë përdorur edhe gaz lotsjellës.
Pas gjysmë ore thonë nga policia është depërtuar në rrethimin mbrojtës dhe një grup nga 20 deri 30 emigrantë u përpoqën të hyjnë në territorin e Republikës së Maqedonisë, të cilët menjëherë janë penguar dhe janë kthyer në territorin e Republikës së Greqisë.
Në orën 14:00 një pjesë e madhe e emigrantëve është kthyer në territorin grek dhe gjendja pjesërisht është vënë nën kontroll, ku në këtë periudhë janë vendosur edhe topa nga uji.
"Në orën 14:45 është marrë informacion se emigrantët kanë përgatitur kokteje molotovi që t'i gjuajnë drejt forcave tona të sigurisë, ku është dhënë urdhër që siguria të ngrihet në nivel më të lartë. Deri në orën 18:00 një grup prej rreth njëqind emigrantësh nga territori grek vazhdimisht ka gjuajtur me gurë nëpunësit policorë. Gjysmë orë më vonë rreth orës 18:30 gjendja është normalizuar, ndërsa të gjithë grupet e migrantëve janë tërhequr në thellësi drejt territorit grek", thuhet në njoftimin zyrtar të MPB të Maqedonisë për sqarimin e kronologjisë të incidentit të djeshëm me emigrantët.