Sibel Vezaj
07 Shtator 2016•Përditësim: 07 Shtator 2016
PRISHTINË (AA) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sot priti në takim të përbashkët kryetarin e komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, atë të Deçanit, Rasim Selmanaj, kryetarin e komunës së Istogut, Haki Rugova, dhe atë të Junikut, Agron Kuçi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga zyra e kryeministrit bëhet e ditur se gjatë takimit ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, u bisedua rreth procesit të shënimit të vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
“Në një atmosferë shumë konstruktive, u diskutua gjerësisht për qëndrimet, ankesat, vërejtjet, sugjerimet dhe mundësitë që ekzistojnë për trajtimin dhe adresimin e kësaj çështjeje shtetërore dhe në interes të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim nga zyra e Kryeministrit.
Duke vënë në dukje se Qeveria e Kosovës do të punojë në argumentimin e të gjitha çështjeve që adresohen nga kryetarët e komunave dhe qytetarët, në njoftim bëhet e ditur se gjatë takimit u theksua gatishmëria për bashkëbisedimin me të gjitha subjektet tjera të interesuara lidhur me këtë çështje të rëndësishme për vendin dhe qytetarët e Kosovës.