Nazmi Abduramani,Agon Fehmiu
24 Shtator 2015•Përditësim: 24 Shtator 2015
PRISHTINË (AA) -Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e Kurban Bajramit, vizitoi Bashkësinë Islame të vendit, ku u prit nga myftiu i Kosovës, Naim Tërnava dhe udhëheqësit tjerë të kësaj bashkësie, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë vizitës, bashkë me kryeministrin Isa Mustafa, ishin edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti.
Mustafa me rastin e vizitës në Bashkësinë Islame të Kosovës ia uroi festën e Kurban Bajramit Myftiut dhe gjithë besimtarëve muslimanë.
“Jemi sot këtu në Bashkësinë Islame, t’i urojmë Myftiut dhe të gjithë besimtarëve islamë me fat Festën e Kurban Bajramit. Gëzohemi për një festë të përbashkët e cila ndërlidhet me paqen, ndërlidhet me sakrificën, ndërlidhet me besimin që t’i ndihmojmë njëri-tjetrit, që të punojmë bashkërisht, t’i zhvillojmë këto procese që janë shumë të rëndësishme për ne, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon edhe në botë. Po ashtu, t'i falënderojmë njerëzit që po i kontribuojnë paqes, po i kontribuojnë stabilitetit, po i kontribuojnë sigurisë së vendit dhe sigurisë së rajonit”, u shpreh Mustafa në urimin e tij.