Sibel Vezaj
18 Tetor 2016•Përditësim: 18 Tetor 2016
PRISHTINË (AA) - Zyra e Koordinatorit Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sot organizoi një konferencë për Ditën e BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, e udhëhequr nga ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencë përveç ministrit Hyseni, morën pjesë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Dellawie, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, përfaqësues të këshillit gjyqësor, prokurorial dhe të Policisë së Kosovës.
Gjatë fjalimit të tij ministri Hyseni foli për rëndësinë e kësaj dite, duke theksuar se kjo shënon fillimin e fushatës nacionale të Republikës së Kosovës kundër trafikimit me qenie njerëzore. Ai theksoi se nuk është i kënaqur me të gjeturat e raporteve vendore dhe ndërkombëtare në këtë aspekt dhe shtoi se përkundër punës së shkëlqyer të Policisë së Kosovës, ndëshkueshmëria e njerëzve të përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore nuk është në shkallën e duhur.
“Ne do t'u kërkojmë me mirësjellje sot edhe prokurorisë edhe gjykatave për aq sa kanë mundësi, duke e pasë parasysh sa të ngarkuar që janë, t’u japin prioritet lëndëve që kanë të bëjnë me trafikimin me qenie njerëzore”, tha Hyseni.
Ai foli edhe për lypsarët që gjenden nëpër rrugët të Kosovës, duke theksuar se 90 përqind të tyre kanë një “pronarë” prapa tyre, duke theksuar se ky është një krim i pastër i organizuar.
Në anën tjetër, Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi tha se shumë njerëz anembanë botës janë duke u përballur me këtë fenomen të turpshëm, ku as Kosova nuk është e përjashtuar prej tij.
Ai theksoi se duhet bërë më shumë për viktimat e trafikuara dhe shtoi se për të arritur sukses në këtë aspekt duhet të ketë një bashkëpunim i të gjithë mekanizmave dhe autoriteteve në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar.
“Trafikimi me njerëz është një çështje që na prek të gjithëve dhe në të njëjtën kohë rrezikon të ardhmen e të gjithëve. Është përgjegjësi e çdo institucioni dhe çdo personi në Kosovë, që të angazhohet për t’i dhënë fund trafikimit me njerëz në të gjitha format e tij”, u shpreh Thaçi.
Kurse shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova bëri të ditur se Komisioni Evropian në periudhën 15 vjeçare me rreth 300 projekte, ka financuar 150 milionë euro për të luftuar me këtë fenomen. Ajo theksoi se në Ballkanin perëndimor, edhe Kosova përfiton nga këto projekte.
“Ky fenomen negativ ka prekur edhe shoqërinë e Kosovës, ne e shohim këtë në baza ditore dhe e shohim fëmijët duke kërkuar lëmoshë në rrugë. Shohim keqtrajtime të të rinjve dhe të rejave prandaj ne të gjithë bashkarisht duhet ta luftojmë këtë krim ku secili nga ne kemi rol për të luajtur këtu, jo vetëm policia dhe prokuroria që duhet të identifikojnë dhe të ndëshkojnë trafikantët”, tha Apostolova.
Ndërsa ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Delawie tha se në mbarë botën janë rreth 20 milionë viktima të trafikimit. Ai theksoi se trafikimi nxit krimin e organizuar dhe jo stabilitetin, duke vënë në dukje se në vendet si Iraku e Siria kjo dukuri financon terrorizmin.
“Kosova po bën përpjekje domethënëse për luftimin e këtij krimi por ende mbetet shumë punë për vendin që t’i plotësojë standardet ndërkombëtare për eliminimin e trafikimit. Një prej elementeve kryesore ka të bëjë me mbështetjen e viktimave”, tha Delawie.