Suada Cerkezi
05 Nëntor 2015•Përditësim: 06 Nëntor 2015
PRISHTINË (AA) - Gjatë takimit dy palësh në mes ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni, dhe ambasadorit austriak Gernot Pfandler, u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Kosovës dhe Austrisë si dhe për përkrahjen që kjo e fundit e jep në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë në vend, raporton Anadolu Agency.
Siç thuhet nga kabineti i ministrit Hyseni, në takim ndër të tjera është diskutuar edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe ekstremizmin e dhunshëm. Ministri Hyseni tha se Kosova me të drejtë pret që deri në fund të vitit 2015 të jepet data e liberalizimit për Kosovën dhe ai për këtë kërkoi mbështetjen e Austrisë.
Ministri Hyseni shtoi se e vlerëson mbështetjen që Republika e Austrisë i kanë dhënë institucioneve të Kosovës në të gjitha proceset e shtet ndërtimit.
Ambasadori i Republikës së Austrisë, Gernot Pfandler, nga ana e tij tha se qeveria austriake vazhdon të jetë e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës, e në veçanti të institucioneve që sigurojnë rendin dhe ligjin për qytetarët e Republikës së Kosovës.